Art Motion: DigitAlb e Tibo po bëjnë pirateri (Video)

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Televizionin publik e ka. Edhe Klan Kosovën. Dukagjinin po ashtu.

Pos këtyre, Art Motion ka kontratë për të transmetuar dhe distribuuar edhe televizionin Alsat M.

Pavarësisht se e ka ekskluzivitetin dhe është mbajtës i vetëm i të drejtave të transmetimit për këto kanale në krejt botën, televizionet në fjalë mund të shihen edhe në platformat e regjistruara në Shqipëri, DigitAlb dhe Tibo.

Kjo, sipas Art Motion, është pirateri dhe për këtë, i është ankuar Autoritetit të Mediave Audiovizive, në Tiranë, më 4 tetor 2019.

AMA-s i është thënë se DigitAlb dhe Tibo, nga 1 nentori i këtij viti, nuk kanë të drejtë t’i transmetojnë e distribuojnë katër kanalet në fjalë.

Pasi ka kërkuar nga Artmotion krejt dokumentacionet që i ka konsideruar si të nevojshme, AMA, me anë të një letre, të 27 nëntorit 2019 ka vënë në dijeni DigitAlb dhe Tibo, se Artmotion është mbajtësi i vetëm i të drejtave të transmetimit të kanaleve në fjalë.

“Nga verifikimet e kryera nga AMA është konstatuar se subjekti i juaj transmeton këto kanale pa nënshkruar më parë një marrëveshje/kontratë për respektimin e të drejtave të transmetimit. Sjellim në vëmendjen tuaj se transmetimi i këtyre kanaleve duhet të bëhet pasi më parë të jetë nënshkruar një kontratë ose marrëveshje me mbajtësit e të drejtave përkatëse të transmetimit”.

Autoriteti shqiptar u ka kërkuar dy platformave të marrin masa për respektimin e parashikimeve të duhura ligjore.

Në përgjigjen që DigitAlb i ka kthyer AMA-s, thuhet se kjo kompani e ka përfituar të drejtën e transmetimit të katër kanaleve në bazë të një kontrate që e ka lidhur më 3 prill 2018 me shoqërinë holandeze GMDS “Administratie” B.V, për të cilën ka thënë se ka kontrata të rregullta bashkëpunimi me të gjtha televizionet kosovare, por nuk dihet nëse për këtë ka ofruar ndonjë dëshmi.

Kontakti me shoqërinë holandeze ka qenë i pamundur.

Pas një bisede telefonike është rekomanduar t’u shkruhet nje email, por adresa e dhënë del të jetë jofunksionale.

Tibo ndërkaq, i ka thënë AMA-s se i pranon kushtet e reja dhe është zotuar të kontaktojë kompaninë Artmotion për marrëveshje.

Pavarësisht këtyre zhvillime, RTK, Klan Kosova, Dukagjini dhe Alsat M vazhdojnë të transmetohen në DigitAlb dhe Tibo.

AMA nuk ka marrë ndonjë masë tjetër për ta ndaluar këtë gjë.

Autoritetit iu kërkua të japë ndonjë koment pse nuk po merr masa të zbatojë ato që u ka thënë Tibo-s dhe DigitAlbit, por nuk është dhënë asnjë përgjigje në pyetet e dërguara, dy ditë më parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme