Biçikleta dhe ruajtja e mjedisit

Prishtinë | 07 Nën 2016 | 16:12 | Nga

Një nga arsyet më të rëndësishme të ndotjes së mjedisit janë gazrat e dëmshme që lëshohen në atmosferë. 31% të dyoksid karbonit dhe 82% të monoksid karbonit të këtyre gazrave e shkaktojnë mjetet motorike të transportit.

Ashtu si gazrat që lëshohen në ajër gjatë përdorimit të këtyre mjeteve, edhe në fazën e prodhimit krijohen lëndë të dëmshme dhe përhapen në natyrë. Përveç kësaj gazrat që emetojnë mjetet motorike dhe që shkaktojnë në atmosferë efektin serë përbëjnë edhe një ndër faktorët kryesorë të ngrohjes globale.

Dhe një nga rrugët më efektive për të parandaluar dëmin që i shkaktojnë mjedisit këto mjete është përdorimi i biçikletës. Për çdo 1 kilometër që përshkohet me biçikletë në vend të automjetit parandalohet emetimi në natyrë i 145 gram dyoksid karboni (CO2).

Një problem tjetër që shkaktojnë mjetet motorike në mjedis është edhe ndotja e zhurmës. Ndërkohë që kufiri i zërit të shëndetshëm është 30 desibel, në qytetet e mëdha të Turqisë ky nivel arrin deri në 95 desibel. Ulja e kësaj shifre do të jetë sërish e mundur përmes përhapjes së përdorimit të biçikletës.

Përdorimi i biçikletës është një zgjidhje efektive edhe për problemin e trafikut. Në oraret kur trafiku është i ngjeshur biçikletat sigurojnë një transport dy herë më të shpejtë se sa mjetet motorike. Përveç kësaj në një sipërfaqe të nevojshme për të parkuar një makinë, mund të parkohen rreth 20 biçikleta. Një gjë e tillë do të parandalojë ndotjen pamore dhe do ti bëjë qytetet tona edhe më të jetueshme.

Biçikleta nuk është e dobishme vetëm për shëndetin mjedisor, njëkohësisht ajo është e dobishme edhe për shëndetin e njeriut. Niveli i forcës jetësore tek ata që përdorin rregullisht biçikletën është i barabartë me nivelin e dikujt që është 10 vjeç më i ri. Përdorimi i rregullt i biçikletës ruan tek njeriu peshën ideale dhe forcon muskujt e kockat.

Përhapja e përdorimit të biçikletës, e cila është shumë e dobishme si në aspektin mjedisor e shëndetësor, ashtu edhe në aspektin social, është mjaft e rëndësishme për një mjedis dhe shoqëri më të mirë për të jetuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme