Ekspertët e Microsoftit trajnojnë studentët shqiptarë në techspace

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Ekspertë të kompanisë Microsoft kanë mbërritur ditët e fundit në Tiranë, në hapësirën e teknologjisë, Techspace, për të trajnuar studentët e apasionuar pas botës digjitale.

Dy ekspertët e Microsoft pranë Techspace, një hapësirë që sot është kthyer në laboratorin ku të rinjtë punojnë për produktet e tyre inovative, treguan temat që kanë trajtuar në këto trajnime.

Evangelos Chrysafadis, ekspert i Microsoft theksoi se ai u foli të rinjve mbi një temë që u tregon atyre sesi tregjet e vogla, të vendeve të vogla si Shqipëria mund të konkurrojnë në tregjet globale me aktorë të mëdhenj, si SHBA apo Kina. “Si janë në gjendje të kenë sukses dhe të jenë fitues, si mund ta bëjnë këtë duke përdorur transformimin dixhital. Të rinjtë mund të kontribuojnë për këtë me idetë e tyre inovatove. Ky brez ka aftësi të lindura dixhitale dhe ky është një aset që mund ta shfrytëzojnë për vendin. Kjo hapësirë, techspace, është shumë rinore, frymëzuese dhe e gjallë. Është një hapësirë aktive”, tha ai.

Ratko Mutavdzic, ekspert i Microsoft tha se beson se është shumë e rëndësishme të komunikojmë me të rinjtë mbi teknologjinë e avancuar. “Ne bëjmë sesione mbi blockchain, mbi teknologjitë artificiale që sot janë suhmë të përhapura në botë. Të rintjë duhet të mësojnë cilat janë mundësitë e sotme dhe t’i përgatisim të jenë protagonistë përmes teknologjisë”, theksoi ai.

Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, vuri në dukje se trajnimet e zhvilluara periodikisht për të rinjtë në Techspace, kanë qënë të fokusuara edhe te inteligjenca artificiale apo zhvillimi i bizneseve dixhitale.

“Kemi 700 të regjistruar në techspace. Që të jemi në të njejtën linjë me komunitetin IT në botë, kemi zhvilluar trajnime lidhur me inteligjencën artificiale dhe kompjuterat kuantikë. Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë produktet e veta bazuar në inteligjencën artificiale. Në javët e ardhme do kemi një trajnim mbi teknologjinë blockchain. Kryeminsitri Rama lançoi punën që ne kemi nisur për draftimin e një ligji dedikuar blockchain. Ky ligj do të krijojë klimën e duhur juridike që investitorët e huaj të investojnë në këtë teknologji”, tha Karçanaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme