“Hotmail” – historia interesante prapa një ideje që lindi nga rastësia

Prishtinë | 04 Mar 2021 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Kur dy themeluesit e “Hotmail” Sabeer Bhatia dhe Jack Smith filluan të punojnë në idenë e tyre të parë të biznesit – një bazë të dhënash personale të bazuar në internet që ata e quajtën JavaSoft – ata ishin të irrituar sepse punëdhënësit i tyre i pengonte ata t’i dërgonin njëri tjetrit emaila nga llogaritë e tyre personale.

Për ta zgjidhur këtë problem, atyre iu lindi ideja e emailave që mund të hapeshin në mënyrë anonime përmes një web-i në internet. Kjo ide u bë fillimi i diçkaje që më vonë do ta ‘pushtonte tërë botën’.

Në vitin 1996, lindi Hotmail, e-mail-i i parë i bazuar në internet, duke u ofruar njerëzve mundësinë që të hapnin llogari/email falas. Mjaftonte të kishte një lidhje interneti për të pasur qasje në emailin personal.

Më pak se 2 vite më vonë, Hotmail rriti bazën e përdoruesve më shpejt se çdo kompani mediatike në histori. Në prag të Vitit të Ri, 1997, Microsoft bleu Hotmail për 400 milionë dollarë.

Saberr Bhatia, njëri nga themeluesit, në librin “Founders at Work” kujton disa prej momenteve të fillimit dhe se si ishte pranuar kjo ide.

“Të gjithë na thonin: Po ju jeni shumë të vegjël, a keni përvojë në menaxhim”. “Jo s’kemi” ua kthenim ne, “jemi akoma të vegjël, por ama e kemi një ide të madhe”.

Kështu edhe ndodhi. Brenda një viti, ‘Hotmail’ u bë web-i më i famshëm në botë. Dhe kishte një arsye për këtë: ishte hera e parë në histori që u krijua një web që u mundësonte njerëzve të hapnin një llogari të tyrën dhe të komunikonin me njëri tjetrin falas. Deri atëherë komunikimet me email ishin të mbyllura vetëm për korporatat e mëdha.

“Dikur na u bë e qartë: nëse kjo po na zgjidh problemin tonë, atëherë do ta zgjidh edhe për të tjerët. Nuk e dinim sa do të jenë në numër, por emaili ishte dicka që të gjithë filluan ta përdorin. Dhe ideja qendrore ishte ta ofroje falas këtë shërbim në një web të thjeshtë ku mund të kishte qasje secili”, kujton disa prej momenteve të fillimit Bhatia.

“Unë dhe Jack kemi punuar pa ndërprerë, ditë e natë, vikende e pushime për ta sjellë këtë produkt. Pastaj u desh që njeri prej nesh ta lë punën. I thash Jack-ut: “Unë jetoj vetëm, nuk kam familje…pse nuk e lë punën ti dhe fillo të punosh në web, unë do ta jap gjysmën e pagës sime”.

Pas një viti, Bhatia dhe Jack, që mëzi ia dilnin t’i paguanin faturat mujore, arritën të krijojnë biznes që u shit për 400 milionë dollarë.

“Nëse keni një ide të mirë, do të shpërndahet me fuqinë e një zjarri”, thotë Bhatia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme