Huawei planifikon ta arrijë Samsungun në vitin 2020

Prishtinë | 05 Pri 2019 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Gjatë vitit 2016, Huawei e kishte caktuar si synim që ta arrijë Apple gjatë vitit 2019 dhe Samsungun gjatë vitit 2021. Kompania arriti t’i tejkalojë parashikimet e veta duke u bërë prodhuesi i dytë botëror i telefonave në gusht të vitit të kaluar, ku Apple kaloi në pozitën e tretë, raporton PocketNow.

Gjiganti kinez e përfundoi vitin 2018 me thyerjen e rekordeve të veta dhe me shitjen e më shumë se 200 milionë telefonave. Për shkak të gjithë kësaj, nuk është çudi që Huawei po e synon gjithashtu pozicionin e parë në fushën e smartfonëve, diçka që paralajmëroi CEO i kompanisë Richard Yu vitin e kaluar.

Në një intervistë të kohëve të fundit, Yu tani vë në dukje se Huawei do të mundë të dominojë në fushën e prodhimit të telefonave qysh në vitin 2020. Sipas tij, konkurrenca kryesore mbeten Samsungu dhe Apple, pasi që këto dy kompani mund të sjellin inovacione në treg, shkruan KOHA Ditore.

“Ekziston ende një numër i madh i përdoruesve të cilët janë në kërkim të telefonave të volitshëm me funksione shumë të mira. P30, të cilin e kemi prezantuar, është për tregun masiv, ndërsa Mate X vetëm për top konsumatorët e caktuar”, ka thënë Yu.

Huawei me siguri do ta kopjojë taktikën nga viti 2018, me linjën e vet P30, me serinë e ardhshme Mate 30 dhe me telefonat e tjerë të segmentit të mesëm dhe të ulët. Megjithatë, këtë vit Mate X me siguri do ta shënojë fillimin e një epoke të re për Huawei, pasi që kompania ka në plan që në të ardhmen të publikojë më shumë telefona fleksibil, të cilët do të jenë më të lirë.

Të ngjashme