Mbi 770 milionë e-maile pre e sulmeve kibernetike

Prishtinë | 18 Jan 2019 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Mbi 770 milionë konto postare në internet mendohet se kanë rënë pre e një prej sulmeve më masive kibernetike të raportuara më parë.

Sipas informacioneve paraprake, të dhënat e piratuara u përkasin kontove aktive duke nisur nga viti 2008.

Rreth 1.1 miliard kombinime me adresa e-mail dhe rreth 21 milionë fjalëkalime respektive u postuan fundvitin e kaluar në forumet e destinuara për piratët informatikë.

Ato ishin organizuar në një arkiv të titulluar “Koleksioni Numër 1” dhe të ndara në 12 mijë dosje të ndryshme të pashifruara, me një madhësi totale prej 87 gigabajtësh.

Eksperti i njohur për sigurinë kibernetike, Troi Hant, njoftoi se adresat e komprometuara të e-maileve dhe të kontove në rrjete të tjera sociale mund të verifikohen përmes portalit të tij në internet.

Ekspertët rekomandojnë që përdoruesit e internetit të tregojnë kujdes duke përdorur kredenciale të ndryshme për faqe të ndryshme interneti, për të ulur rrezikun e piratimit të të dhënave personale.

Opsioni më i sigurt mbetet përdorimi i aplikacioneve që ofrojnë mundësinë e ruajtjes dhe krijimit të fjalëkalimeve rastësore për faqe të ndryshme interneti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme