Pajisjet e Amazonit prodhohen nga adoleshentët kinezë “që punojnë natën”

Prishtinë | 17 Gus 2019 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Amazoni është zotuar t’i hetojë pretendimet se qindra adoleshentë janë duke punuar me orare të paligjshme në një fabrikë kineze duke i prodhuar pajisjet e kësaj kompanie të quajtura Echo.

Një raport i ri nga China Labor Watch pretendon se më shumë se 1,500 “praktikantë” po i prodhonin asistentët inteligjentë në një fabrikë të drejtuar nga furnizuesi Foxconn.

Adoleshentët, të moshës midis 16 dhe 18 vjeç, raportohet se janë në presion të punojnë 60 orë në javë dhe ndërrime të natës.

Foxconn i ka fajësuar menaxherët lokalë dhe është zotuar ta përmirësojë monitorimin e stafit.

Kompania, e cila prodhon produkte për një numër gjigantësh të teknologjisë, thuhet se i ka pushuar dy anëtarë të stafit të vjetër në vendin e quajtur Hengyang, raporton Bloomberg.

Ky është hapi i fundit në një seri lajmesh kontroverse rreth kushteve të punës të prodhuesit në fjalë, me seli në Tajvan.

Në vitin 2017, doli lajmi që disa studentë ishin duke punuar jashtëligjshëm jashtë orarit në një objekt tjetër të Foxconn që prodhon Apple iPhone Xs.

Të ngjashme