Platformat online mund të gjobiten në Britani për përmbajtje të paligjshme

Prishtinë | 17 Dhj 2020 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Të njohura si “fatura e dëmtimeve online”, të propozuara fillimisht nga qeveria e ish-kryeministres Theresa May në prill të 2019-s, i përcaktojnë udhëzimet e reja strikte sipas të cilave do të fshihen përmbajtjet e paligjshme, si abuzimi seksual i fëmijëve, materialet me përmbajtje terroriste si dhe ato që e promovojnë vetëvrasjen

Kompanitë e mediave sociale duhet të fshijnë dhe të kufizojnë shpërndarjen e përmbajtjeve të dëmshme, apo në të kundërtën mund të përballen me gjoba prej miliarda funtesh, ka njoftuar të mërkurën qeveria britanike, pasi ka shpalosur hollësitë e rregullimit të propozuar të trafikut të internetit.

Të njohura si “fatura e dëmtimeve online”, të propozuara fillimisht nga qeveria e ish-kryeministres Theresa May në prill të 2019-s, i përcaktojnë udhëzimet e reja strikte sipas të cilave do të fshihen përmbajtjet e paligjshme, si abuzimi seksual i fëmijëve, materialet me përmbajtje terroriste, si dhe ato që e promovojnë vetëvrasjen. Sipas udhëzimeve, rrjetet e internetit duhet t’i ndalojnë ato menjëherë, apo në të kundërtën do të ballafaqohen me bllokim në Mbretërinë e Bashkuar.

Udhëzimet kërkojnë gjithashtu që platformat të funksionojnë sipas një kodi të ri të sjelljes, i cili i përcakton përgjegjësitë e tyre kundrejt fëmijëve. Kërkohet po ashtu që rrjetet më të famshme t’i vendosin kushtet dhe rregullat e tyre, si dhe të gjobiten po qe se nuk u përmbahen atyre.

Për herë të parë, dezinformimi online ka rënë në dorën e një rregullatori qeveritar, në rastet kur përmbajtja është ilegale, por mund të shkaktojë dëmtime të caktuara fizike apo psikologjike te të rriturit.

“Ofcom”, i cili është konfirmuar si rregullatori, do ta ketë fuqinë që të lëshojë gjoba të papara deri më tani, që do të shkojnë deri në 18 milionë funte, apo 10 për qind të kapitalit global. Kjo do të mund të ndikojë që një kompani – si “Facebook”-u – potencialisht të paguajë gjobë prej 5 miliardë funtesh për shkelje serioze.

Për dallim prej kësaj, ligjet në fuqi parashikojnë gjoba prej 20 milionë eurosh, apo 4 për qind të kapitalit global. “Ofcom”-i do ta ketë fuqinë që t’i bllokojë shërbimet nga e tërë Mbretëria e Bashkuar.

Legjislacioni përfshin po ashtu provizione për dënime të tilla, por kjo masë duhet paraqitet ndaras në Parlament nëpërmjet një legjislacioni të dytë. Qeveria ka bërë të ditur se planifikon që ta paraqesë atë vetëm nëse kompanitë dështojnë t’i marrin seriozisht rregullat e reja.

“Sot Britania është duke vendosur standard global për sigurinë online me qasjen më të plotë deri më tani për rregullimin e internetit”, ka thënë sekretari për siguri digjitale, Oliver Dowden.

Melanie Dawes, shefja ekzekutive e “Ofcom”, ka thënë se “të qenët online sjell shumë përfitime, por katër nga çdo pesë persona kanë shqetësime rreth kësaj”.

“Kjo tregon se ka nevojë për rregulla të ndjeshme dhe të baraspeshuara që i mbrojnë përdoruesit nga dëmtimi serioz, por gjithashtu i pranon gjërat e mira të mediave online, përfshirë edhe shprehjen e lirë”, ka shtuar ajo.

Komisionarja për të drejtat e fëmijëve në Britani, Anne Longfield, u ka dhënë vlerësim të lartë propozimeve.

“Shenjat janë se ky rregullim do t’i tregojë dhëmbët, përfshirë edhe sanksione të forta për kompani që zbulohen se i kanë anashkaluar përgjegjësitë e tyre dhe një kërkesë për aplikacionet e komunikimit që të përdorin teknologji për ta identifikuar abuzimin me fëmijë dhe përmbajtje terroriste, kur drejtohen nga rregullatori. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e punës mbetet prapa hollësive të këtyre njoftimeve, që do të vështrohen nga afër”, ka thënë Longfield.

Sidoqoftë, Adam Hadley, drejtor i Fondacionit të Dëmeve Online, i ka përshkruar propozimet si të jenë “në rastin më të mirë joefektive dhe në atë më të keq kundërproduktive”.

“Aktorët malinj, si terroristët, ka gjasa që të gjenden në platforma dhe rrjete më të vogla që i krijojnë dhe i kontrollojnë vetë – jo në platformat e mëdha teknologjike që janë cak i propozimeve të qeverisë. Dënimet e majme për kompanitë teknologjike vetëm sa e stimulojnë fshirjen e përmbajtjeve të shumta”, ka shtuar ai.

Por, kjo masë është kritikuar nga grupet e të drejtave digjitale.

Dom Hallas, drejtor ekzekutiv i “Coadec”, që përfaqëson sektorin e bizneseve të reja në Britani, ka thënë se planet “rrezikojnë të jenë një fushë e minuar që mund të ketë ndikim joproporcional te kundërshtarët dhe të gjenerojë përfitime për kompanitë me burime të shumta. Derisa qeveria të fillojë punën e përbashkët, në vend se t’i kërcënojë vazhdimisht me burgim themeluesit e rrjeteve sociale, nuk është e qartë se si mund të dalim me propozime që funksionojnë”, ka thënë Hallas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme