“PlayUK” hap dyert për depërtim në botën e videolojërave

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

“Pauzojeni lojën dhe bashkohuni me ne!”, është motoja e edicionit të sivjetmë të “PlayUK” që do të nisë më 28 tetor. Dy ditë para se të nisë, organizatorët kanë bërë të ditur se do të sjellin sesione digjitale për të gjithë të interesuarit në industrinë e videolojërave, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u rritur në rajon. Diskutime me profesionistë të kësaj fushe dhe mundësi për të krijuar videolojëra janë vetëm disa prej pikave që do të shpalosen deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Një nga pikat kryesore do të jetë edhe diskutimi me realizuesit e videolojërave me nam, “I Am Dead”.

“PlayUK” është platforma e “British Council” që mbështet kreativitetin në artin digjital, duke ofruar qasje në shkathtësi dhe njohuri të reja dhe duke krijuar dhe forcuar ndërveprimin midis artit dhe teknologjisë. Përmes saj krijohen lidhje ndërmjet profesionistëve në disiplinat digjitale dhe arte nga Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

“’PlayUK’ eksploron temat si kodimi, hardueri, lojërat dhe performanca, teoria e lojërave, realiteti virtual, inteligjenca artificiale, realiteti i shtuar, animimi, mediat impresive, informatika kreative, dizajni narrativ dhe praktika të tjera digjitale në art, duke formuar një lidhje unike midis sektorëve kreativë dhe të teknologjisë”, është përshkrimi për këtë platformë dhënë në ueb-faqen zyrtare e cila ka tre vjet që mbahet edhe në Kosovë.

Ani pse programi i plotë nuk është bërë publik, është paralajmëruar se çdo dy javë do të ketë biseda me ekspertë të ndryshëm. “British Council” ka bashkëpunuar me Marie Foulston. “Ajo ka dizajnuar një program tërheqës dhe frymëzues për profesionistët e fushës dhe për entuziastët digjitalë”, është shkruar në komunikatën për media. Foulston është producente kreative dhe fituese e çmimeve për ekspozita, videolojëra, instalime dhe projekte digjitale inovative. Më 2019 është cilësuar si një nga 100 femrat më me ndikim në industrinë e lojërave në Mbretërinë e Bashkuar.

Bisedat që ndryshe janë titulluar si sallone do të jenë gjithsej 12 sosh. Do të nisin me kreatorët e lojës së re magjepsëse enigmatike dhe aventuriere “I Am Dead” nga krijuesit e “Hohokum” dhe “Wilmot’s Warehouse”. Loja e lansuar në shtator të këtij viti është një aventurë tërheqëse me “puzzle” ku eksplorohet jetesa pas vdekjes. Disenjatorët e videolojërave, Ricky Haggett, Catherine Johnson dhe Richard Hogg, do të shpjegojnë krijimin e ishullit misterioz të Shelmerston dhe banorëve të tij, duke reflektuar në të njëjtën kohë edhe për sfidat e krijimit dhe lansimit të një videoloje në një vit të tillë si 2020-a.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme