Pse duhet t’i ndryshoni fjalëkalimet rregullisht?

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 10:40 | Nga

Një e njohura ime, së fundi, më kontaktoi për të kërkuar ndihmë për t’u riqasur në llogarinë e kompanisë në Instagram.

Dikush ia kishte marrë fjalëkalimin e Instagramit pasi kishte filluar të postonte mesazhe pa lidhje! Sugjerimi i menjëhershëm ishte ndryshimi i fjalëkalimit në Instagram së bashku me atë të adresës së email-it.

Pasi e provoi të ndryshonte fjalëkalimin e Instagramit, kuptoi që personi që kishte marrë akses e kishte ndryshuar, rrjedhimisht i sugjerova ta rivendoste fjalëkalimin (reset) nëpërmjet adresës së email-it. Vetëm kështu arriti të ri-logohej me sukses në llogarinë e Instagram-it.

I rikujtova që duhet të ndryshonte edhe fjalëkalimin e email-it, dhe përgjigjja ishte: “Po, do ta ndryshoj”!

E gjithë kjo bisedë ndodhi herët në mëngjes. Gjysmë dite më vonë, ajo më rikontaktoi për të më njoftuar se ia kishin rimarrë aksesin e Instagram-it dhe për më tepër llogaria në Instagram nuk rezultonte më aktive!

Bëmë disa tentativa për ta rikthyer por politikat e Instagram-it për llogaritë që “fshihen” apo “mbyllen”, ishte që mos t’i riaktivizonte më si adresa.

Pra, lajmi edhe më i keq ishte fakti që emri i përdoruesit në Intagram nuk ishte më i vlefshëm dhe e gjithë puna për akumulimin e ndjekësve në këtë platformë tashmë kishte shkuar kot!

Kur e pyeta nëse e kishte ndryshuar apo jo fjalëkalimin e email-it, mu përgjigj se nuk kishte pasur mundësi ta bënte në mëngjes pasi ishte me celular!

Dukshëm personi që kishte marrë akses më herët e kishte rimarrë aksesin e llogarisë në Instagramit dhe në shenjë demostrative e kishte fshirë!

Në shumicën e rasteve të tilla është shumë e vështirë të kuptosh se si apo në çfarë mënyrë ju është vjedhur aksesi i llogarisë tuaj, por duhet të filloni të mendoni seriozisht që t’i paraprini situatave të tilla!

Disa sugjerime që kjo histori mos të përsëritet herën tjetër!

Përdorni një fjalëkalim të vështirë – Sa herë e keni dëgjuar këtë këshillë? Ka nevojë ta dëgjoni edhe një herë apo do e bëni zakon?

Ndryshojeni çdo 2-3 muaj – Ndryshojeni fjalëkalimin e email-it tuaj çdo 2-3 muaj, edhe më shpesh po mundët. Arsyeja pse sugjerojmë ndryshimin e fjalëkalimit të email-it më shpesh është sepse shumica e llogarive tuaja online sot janë të lidhura direkt ose indirekt me llogarinë e email-it. Rrjedhimisht, edhe kur ju humbisni aksesin në një shërbim apo faqe si Instagrami gjasat janë që ju mund ta rimerrni aksesin nëpërmjet adresës tuaj të email-it.

Qasja me dy hapa – Vendosni aksesin/verifikimin me dy hapa (two step verification) që të siguroheni që mund të rimerrni akses edhe kur ju vjedhin fjalëkalimin. Të gjithë ofruesit e mëdhenj të shërbimit të email si Gmail; Yahoo; Live; etj., e ofrojnë këtë shërbim.

Nëse jeni biznes, atëherë ky opsion duhet të jetë i detyrueshëm. Unë përdor Google Authenticator për mjaft shërbime, si p.sh edhe për t’u loguar në këtë faqe të ndërtuar me WordPress.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme