Rreziku që i vjen fëmijëve nga videolojërat: Parapërgatitje për të nisur bixhozin

Prishtinë | 04 Tet 2018 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Zhvillimi i teknologjisë dhe përdorimi i rrjeteve sociale vitet e fundit kanë mbërthyer para kompjuterave dhe smartfonëve adoleshentët dhe të rinjtë në mbarë botën. Për shumë prej tyre varësia nga internet është totale, në çdo kohë dhe në çdo vend.

Duke folur për varësinë e të rinjve nga rrjetet sociale profesori dhe psikologu Edmond Dragoti thotë për AbcNews se teknologjia dhe rrjetet sociale janë pjesë e pandashme e përditshmërisë, por që mbartin dhe problematika të ndryshme.

“Teknologjia e informacionit sot është zhvilluar me hapa shumë të shpejta dhe jo më kot sepse është nevojë e shoqërisë. Por duke qenë e tillë ajo mbart dhe probleme sepse përdoret më shumë seç duhet, kthehet në rrezik të madh ose serioz, siç janë në përgjithësi krimet e ndryshme që ndodhin në shoqëri, të cilat janë më të ndjeshme dhe kanë më shumë efekte negative te brezat e rinj”, thotë psikologu.

Ndërsa videolojërat duke qenë se janë sfiduese, sipas psikologut, shpeshherë nxisin edhe agresivitetin te fëmijët apo të rinjtë.

“Videolojërat janë sfida mjaft interesante sepse provon aftësitë e tua intelektuale, emocionale, ekuilibrat e ndryshëm të zhvillimit e pjekurisë të individit e të tjera dhe videoloja është një nga sfidat e këndshme që njeriu aplikon shpesh, por sidomos të rinjtë dhe fëmijët. Ka të keqen mbrapa sepse duke qenë një element sfidant ajo duke pasur edhe ngarkesën pozitive të kënaqësisë zakonisht, duke qenë dhe e pakontrolluar nga të rriturit, si dhe e paorientuar dhe e paplanifikuar në aspektin e saj të edukimit, moralit, të mesazheve që jep, loja elektronike, virtuale, videolojërat janë më të vërtetë tërheqëse, por kur varësohen të rinjtë drejt tyre atëherë si çdo gjë që varësohesh është e dëmshme. Edhe videolojëra kthehet në një rrezik serioz. Të bëjnë që të përfshihesh në një aktivitet paraprak fillestar si një pedanë që të hedh në bixhozin e të rriturve dhe si me thënë të përgatit për t’u përfshirë në jetën e ardhshme të bixhozit”, sipas Dragotit.

Psikologu këshillon qëndrimin me kohë të kufizuar në rrjetet sociale.

“Në përgjithësi prindërit duhet ta kenë të qartë që vetë ata nuk duhet të përfshihen totalisht në komunikimet virtuale gjatë gjithë kohës sepse do t’u jepnin në këtë rast modelin e gabuar fëmijëve të tyre. Së dyti, prindërit duhet të kenë vëmendjen e vazhdueshme, nuk është nevoja të kesh kontrollin pedant ndaj kohës që harxhojnë fëmijët e tyre, por vëmendjen e mjaftueshme ndaj kohës që të rinjtë dhe fëmijët shpenzojnë për përfshirjen në komunikimet virtuale. Marrim gjithmonë parasysh sa më shumë virtualisht të përfshihet një individ, aq më pak e jeton realitetin”, shprehet Edmond Dragoti.

Sipas psikologëve, komunikimi për një kohë të gjatë online përmes rrjeteve sociale, i shkëput njerëzit nga bisedat dhe kontaktet ballë për ballë, duke e zhytur gjithmonë e më shumë drejt botës virtuale çdo aspekt të jetës njerëzore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme