Samsung humb 5.4 miliardë dollarë

Prishtinë | 15 Tet 2016 | 18:17 | Nga

Kostoja totale e heqjes së telefonave celularë “Galaxy Note 7” nga tregu do të jetë të paktën 5.4 miliardë dollarë. Shifrat publikohen nga kompania “Samsung”, e cila qysh më herët kishte ulur parashikimin e fitimeve për tremujorin e tretë, me 2.3 miliardë dollarë.

Zyrtarë të kompanisë thanë se, veç kësaj, presin edhe një goditje tjetër prej 3 miliardë dollarësh. Muajin e kaluar nisi tërheqja e modelit “Note 7” nga tregu, për shkak të baterive që merrnin flakë. Por, ndërsa edhe pajisjet e zëvendësuara shfaqën të njëjtin problem, “Samsung” ndali plotësisht prodhimin e këtij modeli.

Pritej që “Note 7” të garonte me “iPhone 7” të “Apple”, por tashmë duket se kolosi amerikan e ka tregun të lirë. Sigurisht që këto humbje nuk janë fatale për “Samsung”, e cila nga telefonat e tjerë do të vazhdojë të nxjerrë fitime.

Madje kompania synon që të rrisë shitjet e modeleve “Galaxy S7” dhe “S7 Edge” për të kompensuar dëmin. Mbi të gjitha, zyrtarë të kompanisë thanë se “Samsung” do të përmirësojë tej mase sigurinë e produkteve për konsumatorin, duke bërë ndryshime thelbësore në proceset e kontrollit të cilësisë për të shmangur incidente të tjera në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme