Samsungu beson se mund t’i shesë 5-6 milionë telefona të palosshëm gjatë vitit të ardhshëm

Prishtinë | 26 Tet 2019 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

ET News nga Koreja e Jugut raporton se Samsungu po planifikon ta forcojë në mënyrë agresive prodhimin e telefonave të vet të palosshëm për vitin e ardhshëm.

Kompania thuhet se po e synon një rritje të dhjetëfishtë, edhe pse analistët dyshojnë se ekziston treg mjaft i madh për një numër aq të madh të telefonave të palosshëm, raporton GSMArena.

Bazuar në raportet, Samsungu deri më tani i ka shitur rreth 500,000 modele Galaxy Fold. Vitin e ardhshëm, kompania planifikon t’i prodhojë 5-6 milionë të këtyre pajisjeve, ndërsa Samsung Display po kërkon mënyra për ta rritur prodhimin.

Aktualisht, Samsungu po e shet Foldin në turne prej 10,000 njësish, shkruan KOHA Ditore. Për t’i arritur objektivat e reja, Samsungu do të duhet të investojë në fabrikat e veta në Vietnam për ta rritur prodhimin, veçanërisht nëse dëshiron të kalojë në Ultra Thin Glass.

Analistët parashikojnë që numri më i madh i telefonave të palosshëm, të cilët do të shiten vitin e ardhshëm, do të arrijnë nga Samsungu. Megjithatë, DSCC sugjeron se ekziston një kërkesë e mjaftueshme në treg për 4-5 milionë telefona të palosshëm, ndërsa IHS Markit beson se do të ketë kërkesë për vetëm tre milionë pajisje.

Kjo do të thotë që nëse Samsungu arrin ta dominojë tregun, kompania mund të mos jetë në gjendje t’i realizojë objektivat e veta të shitjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme