Skandali i përgjimit të politikanëve, Spanja shkarkon shefen e spiunazhit

Prishtinë | 10 Maj 2022 | 19:31 | Nga Ekonomia Online

Gruaja e parë në krye të agjencisë së inteligjencës CNI të Spanjës, Paz Esteban, ka humbur punën e saj në një skandal të thelluar mbi softuerin e hakerimit të telefonave të politikanëve kryesorë të vendit.

Kryeministri Pedro Sánchez, dy ministra të tjerë dhe 18 separatistë katalanas u vunë në shënjestër të softuerit Pegasus.

Softueri i diskutueshëm është përdorur për të hyrë në telefonat e figurave të njohura në mbarë botën

Por Sánchez ishte lideri i parë që u konfirmua si objektiv.

Ministrja e Mbrojtjes Margarita Robles, e cila ishte vetë viktimë e hakimit të telefonit, tha se qeveria kishte vendosur të largonte shefen e spiunazhit, e cila ka qenë në CNI për gati 40 vjet.

“Ju flisni për shkarkim, unë flas për zëvendësim”, u tha ajo gazetarëve.

Paz, 64 vjeçe, e ka drejtuar CNI që nga viti 2019 dhe do të zëvendësohet nga zëvendësministrja e Mbrojtjes, Esperanza Casteleiro.

Skandali që përfshiu politikën spanjolle

Më shumë se 60 figura separatistë katalanas akuzuan Spanjën për spiunim në telefonat e tyre muajin e kaluar, pas zbulimeve nga qendra kërkimore Citizen Lab në Kanada. Akuzat e shtynë partinë pro-pavarësisë ERC të tërhiqte mbështetjen e saj nga qeveria e udhëhequr nga socialistët.

Më pas doli se kryeministri dhe ministri i mbrojtjes ishin spiunuar gjithashtu, së bashku me ministrin e Brendshëm Fernando Grande-Marlaska.

Telefoni i Pedro Sánchez u hakerua dy herë në maj 2021 dhe zyrtarët thanë se kishte të paktën një rrjedhje të të dhënave nga ai.

Qeveria tha se hakërimi ishte “i paligjshëm dhe i jashtëm” dhe përfshinte organe jozyrtare pa autorizim shtetëror. Megjithatë, ajo refuzoi të komentojë mbi spekulimet në mediat spanjolle se Maroku mund të ketë qenë pas hakimit, i cili ndodhi në kohën e një mosmarrëveshjeje diplomatike.

Javën e kaluar Robles i tha një komisioni parlamentar se agjencia e spiunazhit kishte vepruar gjithmonë brenda ligjit dhe se 18 separatistë katalanas ishin përgjuar me miratimin e gjykatës.

Në mesin e atyre që ishin në shënjestër ishte presidenti katalanas Pere Aragonès. Ajo tha në një konferencë për shtyp të martën se ishin bërë gabime edhe pse mbrojti prestigjin ndërkombëtar të CNI.

“Në këtë vend askush nuk hetohet për idetë e tij politike”, theksoi ajo.

Kritikët thanë se Paz Esteban po u jepej si “kokë turku” partive pro-pavarësisë për të siguruar mbijetesën e qeverisë së krahut të majtë.

“Është një fyerje e vërtetë për vendin tonë,” u ankua presidenti i Partisë Popullore të opozitës, Alberto Núñez Feijóo.

Çfarë është Pegasus?

Spyware Pegasus u zhvillua nga firma private me bazë në Izrael NSO Group dhe mund të infektojë iPhone dhe telefona Android. Të dhënat mund të nxirren dhe kamerat dhe mikrofonat dhe mund të aktivizohen fshehurazi për të regjistruar thirrjet.

NSO tha se Pegasus ishte menduar për përdorim kundër kriminelëve dhe terroristëve dhe ishte vënë në dispozicion vetëm për vendet me të dhëna të mira për të drejtat e njeriut. Tani ajo po përballet me veprime ligjore nga kompanitë duke përfshirë Apple dhe Microsoft.

Përdorimi i tij tani po hetohet nga Parlamenti Evropian për shkelje të dyshuar të ligjit të BE-së. Gazetarët hungarezë akuzojnë qeverinë e tyre se i ka vënë në shënjestër dhe qeveria polake ka pranuar se e ka përdorur atë si një mjet vëzhgimi, por jo për qëllime politike.

Arabia Saudite, Maroku dhe Azerbajxhani janë të gjitha të lidhura me skandalin.

Të ngjashme