Specifikimet e PCI Express 6 premtojnë shpejtësi të madhe për AI dhe ruajtje të të dhënave

Prishtinë | 20 Qer 2019 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Specifikimet finale për PCI Express 5.0 janë publikuar kohët e fundit, por kjo nuk i pengon krijuesit që të mendojnë për versionin e ardhshëm të standardit në fjalë. PCI Special Interest Group i ka publikuar specifikimet e PCI Express 6.0, të cilat do të duhej të mundësojnë 256GB për sekondë përgjatë 16 linjave, raporton Engadget.

Kjo shpejtësi është dy herë më shumë se ajo që do ta mundësonin specifikimet PCIe 5.0, kur të paraqiten në produktet komerciale. Gjithashtu, kjo është katër herë më e shpejtë se ajo që e ofrojnë specifikimet 4.0, të cilat sapo kanë mbërritur në pajisje.

PCI-SIG synon t’i arrijë shpejtësitë e sipërpërmendura përmes teknologjisë Pulse Amplitude Modulation, e cila mund të bartë dy herë më shumë të dhëna se metodat ekzistuese, pa nevojën për dyfishimin e trafikut dhe përdorimin e frekuencave të larta të panevojshme, shkruan KOHA Ditore.

Formati PCI Express 6 do të jetë kompatibil me versionet e mëparshme. Ekziston vetëm një pengesë, ashtu si edhe në specifikimet e mëparshme, dhe kjo është se do të ekzistojë një boshllëk i madh midis publikimit të specifikimit dhe paraqitjes së tij në produktet konkrete. PCI-SIG nuk e pret përfundimin e specifikimeve finale për PCI Express 6.0 deri në vitin 2021, dhe pastaj do të kalojë edhe një vit ose dy derisa procesorët dhe pajisjet tjera periferike të fillojnë t’i përdorin specifikimet e reja.

Të ngjashme