Televizori Sony 8K 98-inçësh do të kushtojë 70.000 dollarë

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Sony po i afrohet lansimit të linjës së vet të TV-ve për vitin 2019, ndërsa kompania tani ka publikuar detaje për çmimet dhe disponueshmërinë e këtyre pajisjeve, raporton Engadget.

Seria e televizorëve Master Series Z9G, e cila është e aftë për reprodukimin e përmbajtjes 8K, do të jetë në dispozicion me çmime midis 13,000 dollarë për modelin 85-inçësh, i cili arrin në qershor, e deri në 70,000 dollarë për modelin premium 98-inçësh.

Për fat të mirë, do të ofrohen edhe televizorë më të përballueshëm, por blerësit e tyre do të duhet të kënaqen me cilësinë 4K. Linja Master Series A9G OLED e ka një çmim fillestar prej 3,500 dollarësh për variantin 55-inçësh dhe kosto maksimale prej 8,000 dollarësh për modelin 77-inçësh. Edhe pse ky është një çmim mjaft i lartë, televizorët e përmendur vijnë me çipin Picture Processor X1 Ultimate ashtu si edhe linja dukshëm më e shtrenjtë Z9G, si dhe karakteristikat e njohura të Sony si mbështetja Netflix Calibrated Mode, IMAX Enhanced dhe AirPlay 2 dhe HomeKit për fansat e Apple. Linja A9G do të jetë në dispozicion në maj dhe qershor.

Seria edhe më e përballueshme përbëhet nga A8G, me çip 4K HDR Processor XR Extreme dhe disa truqe të zakonshme Sony OLED. Këto modele vijnë me një çmim midis 2,500 dhe 3,500 dollarësh, për variantet 55-inçëshe dhe 65-inçëshe. Në fund, ka edhe shumë opsione për ata që mund të kënaqen me televizorët me ndriçim LED 4K LCD. Këto modele i përfshijnë linjat X950G, X850G dhe X800G në rangun e çmimeve nga 1,400 dollarë deri në 3,500 dollarë dhe me madhësi prej 55 deri në 85 inçë.

Të ngjashme