Thashethemet e reja për PS5 sugjerojnë AMD Radeon Navi dhe Ryzen dhe SSD me 2TB

Prishtinë | 10 Kor 2019 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Kompania Sony tashmë ka shpalosur mjaft informata për konzolën e ardhshme të lojërave PlayStation 5, më shumë se një vit para publikimit zyrtar. Në intervistën e prillit, Sony kishte shpalosur që PS5 do të ketë procesor 7nm AMD Ryzen 3000, bashkë me GPU-në 7nm Radeon Navi. Po ashtu kuptuam faktin që për ruajtje do të përdoret SSD ultra i shpejtë, përcjell HotHardware.

Tani informatat që kanë rrjedhur së fundi sugjerojnë informata edhe më specifike për harduerin që do të gjendet në brendinë e konzolës PS5. Këto informata duhet marrë me rezervë edhe pse nuk është e pamundur që të konfirmohen.

Për fillim, pohohet që konzola do të ketë procesorin Ryzen 3000 me tetë bërthama dhe 16 threadë, i cili punon në 3.2 GHz. GPU-ja e bazuar në Radeon Navi thuhet se ka gjithsej 72 CU (në dual-36 Compute Unit sistem), 64 shaderë për CU, takt me shpejtësi prej 1.55 GHz dhe 16 GB ose 24 GB memorie GDDR6, shkruan KOHA Ditore. Pas gjithë këtyre, kemi edhe rreth 14.2 TFLOPS performanca përllogaritëse nga ky GPU, që përkrah edhe ray tracing harduerik.

Sa i përket SSD-së, theksohet që sistemet do të vijnë me 2TB prej fillimit, që do të duhej të jetë relativisht mjaftueshëm për ruajtje për shumicën e lojtarëve. Sony më herët kishte deklaruar që ende nuk kemi parë asnjë SSD nga segmenti konsumues që ofron performancat që ka PS5, kështu që ka mundësi që kjo konzolë do të shfrytëzojë interfejsin PCIe 4.0.

Sony tashmë ka konfirmuar që kjo konzolë do të përkrahë daljen 120Hz për 4K për lojëra, ndërsa ekziston edhe përkrahja për 8K, që me gjasë do të rezervohet për video/streaming, dhe jo për luajtje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme