Tyler ‘Ninja’ Blevins shpjegon si i fiton mbi 500 mijë dollarë në muaj duke luajtur ‘Fortnite’

Prishtinë | 06 Pri 2018 | 14:37 | Nga

‘Streameri’ më i njohur në Twitch thotë se mund të fitohen shumë para thjesht duke luajtur video-lojëra.

Tyler “Ninja” Blevins në një intervistë për “Squawk Alley” ka shpjeguar se si arrin t’i fitojë më shumë se 500,000 dollarë në muaj vetëm duke luajtur lojën e njohur ‘Fortnite’, transmeton Telegrafi.

“Unë mendoj se iu ofroj shikuesve të shikojnë një lojtar shumë profesionist. Dhe, është tejet e vështirë të bëheni lojtari më i miri në një video-lojë”, thotë Blevins.

“Unë bëjë edhe gjëra ‘budallaqe’; nëse keni shikuar ndonjë video timen, e shihni se unë bëjë gjeste të trupit dhe shprehje të ndryshme të fytyrës gjatë tërë kohës. Mendoj se kombinimi i këtyre dyjave (aftësive për të luajtur dhe argëtimit) ndikon që shikuesit të më pëlqejnë”, ka shtuar ai.

Për herë të parë Ninja ka konfirmuar se i bën më shumë se 500,000 dollarë në muaj vetëm përmes stream-it në Twitch.

Lojtari thotë se një pjesë e të ardhurave të tij vijnë nga abonentët e Amazon Prime, të cilëve iu lejohet të dhurojnë donacione në kanalin e tij në Twitch.

Por ai gjithashtu fiton shuma të majme parash edhe përmes 5 milionë abonentëve në kanalin e tij në YouTube.

Vlen të ceket se Twitch është platformë ku mund të bëni stream live dhe kryesisht përdoret nga adhuruesit e video-lojërave.

Twitch është blerë nga Amazon për 970 milionë dollarë në vitin 2014. Shumica e atyre që bëjnë stream në këtë platformë arrijnë të fitojnë shuma të majme parash, dhe nuk kanë nevojë të punojnë gjëra tjera.

Përndryshe, loja Fortnite është një nga më të përfolurat së fundmi, e cila i ka tërheqë edhe yjet e repit, duke përfshirë edhe reperin Drake.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme