Wim Wenders: Celularët e vranë fotografinë

Prishtinë | 19 Gus 2018 | 14:03 | Nga

Telefonat e mençur na bënë të gjithëve fotografë, ose ndoshta e kanë bërë në mënyrën që asnjëri prej nesh të mos jetë fotograf. Një shekull më parë, posedimi dhe aftësia për të përdorur një aparat fotografik, llogaritej si një arritje e madhe. Sot pothuajse të gjithë ne e mbajmë një të tillë, duam apo nuk duam, dhe manipulimi me të nuk kërkon ndonjë aftësi, raporton Open Culture, transmeton Telegrafi.

“Unë besoj se secili është fotograf”, thotë regjisori i famshëm Wim Wenders. “Të gjithë ne po bëjmë miliarda fotografi, kështu që fotografia sot është më e gjallë se kurrë, dhe në të njëjtën kohë është më e vdekur se kurrë”.

Wenders e dha këtë mendim në një ekspozitë të fotografive të tij me Polaroid. Në një aspekt, aparati Polaroid – i lehtë për t’u përdorur, me rezultate të shpejta dhe shumë i lëvizshëm për standardet e kohës së tij – ishte aparati i celularit të mençur të shekullit 20, por Wenders nuk ka të njëjtin lloj të frymëzimit nga celulari siç e kishte me Polaroid.

“Problemi me fotot me iPhone është se askush s’i sheh”, thotë ai. “Edhe njerëzit që i bëjnë nuk i shikojnë më ato dhe sigurisht se nuk i shtypin”.

Duke u marrë me kinematografi për rreth gjysmë shekulli, Wenders e di nga dora e parë se si ka ndryshuar marrëdhënia jonë me imazhin.

“E di nga përvoja se sa më pak që keni, aq më kreativë do të bëheni”, thotë ai, i pyetur në lidhje me mbizotërimin e sotëm të filtrave dhe aplikacioneve. “Ndoshta kjo nuk është domosdoshmërisht shenjë e krijimtarisë që mund ta ktheni çdo foto në të kundërtën e saj”.

Megjithatë, ai nuk ka kundërshtime për kulturën e fotografive me celularë, madje pranon se ka bërë “selfie”, duke thënë se “shikimi në pasqyrë nuk është një akt i fotografisë”.

Nëse ajo që bëjmë me kamerat e celularëve nuk është fotografi, atëherë çka është?

“Jam në kërkim të një fjale të re për këtë aktivitet të ri që duket shumë si fotografia, por nuk është më fotografi”, thotë Wenders.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme