Zhvillimet teknologjike gjatë vitit 2016

Prishtinë | 02 Jan 2017 | 15:14 | Nga

Gjatë vitit 2016, teknologjia njohu disa përparime të rëndësishme por edhe pengesa. Makinat me vet-ngarje filluan të shfaqen nëpër rrugë, ndërsa disa firma private për eksplorimin e hapësirës panë raketat e tyre të shpërthenin në platformat e lëshimit. Megjithatë, teknologjia vazhdon të premtojë një të ardhme më të mirë.

Makinat elektrike nuk janë më një risi, sepse kompanitë po shpejtojnë drejt teknologjisë së vet-ngarjes.

Pavarësisht disa aksidenteve, njëra fatale, auto-industria po nxit shtytjen për automjete me nivele të ndryshme pavarësie nga shoferi gjatë ngarjes – nga ato kur shoferi mund të marrë drejtimin kur të dojë e deri tek ato që mësojnë nga eksperienca në rrugë.

“Kur një makinë vet-ngarëse ndeshet me këtë situatë në të ardhmen, ne mund të studiojmë se si miliona njerëz reaguan në atë rast dhe të përzgjedhim variantin e duhur”, thotë Sravan Pattanguna me kompaninë “Civil Maps”

2016 po ashtu shënoi përhapjen e shumë lloje robotësh, të vegjë e të mëdhenj, në dukje si njerëzit apo si kafshët. Disa prej tyre ndihmojnë njerëzit e zakonshëm.

“Ndihmoj njerëzit të gjejnë me shpejtësi portën nga ku niset avioni i tyre dhe të mos vonohen.”

Por shumica janë ende platforma eksperimentale që ndihmojnë shkencëtarët në ndërtimin e pjesëve dhe programeve kompjuterike. Disa përdoren në industri dhe shkencë e madje edhe në sipërfaqen e planetit Mars.

Ndërsa dronët do të fillojnë të përdoren në dërgesat e mallrave.

Teknologjia mjekësore po ashtu njohu përparime. Nga rritja e indeve më pak të komplikuara, si kërci, deri tek eksoskeletë të kontrolluar nga truri që ndihmojnë njerëzit me aftësi të kufizuara të lëvizin.

“Përshembull, nëse dora po lëviz pa synimin tënd për ta lëvizur, ju mund ta bllokoni këtë veprim me lëvizjet e syrit”, thotë Surjo Soekadar me Universitetin Tubungen.

Printerat tre dimensional tani mund të prodhojnë pjesë të sofistikuara makinerishë.

“Po të shikosh është një stukturë si hojet e bletës që nuk mund të prodhohet me makineri si dikur. Fizikisht kjo është e pamundur.”

Një prej problemeve më të mëdha në teknologjinë e konsumit ishte nxjerrja e telefonit Galaxy 7 nga Samsung me një bateri shpërthyese. Samsung ofroi zëvendësimin që nuk e zgjodhi problemin dhe kështu u detyrua të braktisë këtë linjë.

Raketa pa njeri e kompanisë Space X shpërtheu në platformën e lëshimit duke shkatërruar ngarkesën me satelitë komercialë dhe ngadalësuar planet e kompanisë për udhëtime të rregullta komerciale në orbitën e ulët dhe Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Edhe asistentët shtëpiakë, paisjet audiofonike që kuptojnë komandat me zë dhe kryejnë shumë detyra, u përhapën gjerësisht gjatë vitit 2016. Këta asistentë bëjnë kërkime në internet, mbajnë kalendarin apo luajnë muzikën tënde të preferuar.

Superkompjuteri Watson nga IBM kreu shumë punë në ndihmë të projekteve të mjekëve në mbarë botën. Një prej tyre po grumbullon dhe analizon të dhëna rreth sëmundjeve të rralla.

“Do të dyfishohen njohuritë në mjekësi. Për të shfrytëzuar gjithë këtë përmirësim të madh të dijeve mjekësore ne duhet të kemi sisteme asistentësh dhe programe kompjuterike.”

2016 po ashtu shënoi dobësi të konsiderueshme të rrjeteve kompjuterike, me grabitje të mëdha të informacioneve private duke bërë që ekspertët të jepnin alarmin se siguria kibernetike do të jetë një prej tendencave më të rëndësishme teknologjike të vitit 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme