Zhvillohen qelizat e brendshme solare

Prishtinë | 23 Sht 2019 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Shkencëtarët suedezë dhe kinezë kanë zhvilluar qeliza organike solare të optimizuara për ta konvertuar dritën e ambientit në elektricitet. Energjia që ato e prodhojnë është e ulët, por ndoshta është e mjaftueshme për t’i ushqyer miliona produkte që Interneti i Gjërave (IoT) do t’i sjellë online.

Derisa Interneti i Gjërave zgjerohet, pritet që do të na duhet të kemi miliona produkte online, si në hapësirat publike ashtu edhe në shtëpi. Shumë nga këto produkte do të jenë sensorë të shumtë për ta detektuar dhe matur lagështinë, përqendrimet e grimcave, temperaturën dhe parametra të tjerë, shkruan “Koha Ditore”. Për këtë arsye, kërkesa për burime të vogla dhe të lira të energjisë së ripërtërishme po rritet me shpejtësi, në mënyrë që ta zvogëlojë nevojën për zëvendësime të shpeshta dhe të shtrenjta të baterive.

Këtu hyjnë qelizat organike solare. Jo vetëm që ato janë fleksibile, të lira për t’u prodhuar dhe janë të përshtatshme për prodhim si sipërfaqe të mëdha në një shtypshkronjë, ato e kanë një avantazh të mëtejshëm: shtresa që e absorbon dritën përbëhet nga një përzierje e materialeve donatore dhe pranuese, që jep fleksibilitet të konsiderueshëm në konfigurimin e qelizave solare ashtu që ato të optimizohen për spektër të ndryshëm – për dritë me gjatësi të ndryshme valore.

Hulumtuesit në Pekin, të udhëhequr nga Jianhui Hou, dhe ata në Linköping të Suedisë, të udhëhequr nga Feng Gao, tani e kanë zhvilluar së bashku një kombinim të ri të materialeve të donatorëve dhe pranuesve, me një përbërje të përcaktuar me kujdes, për t’u përdorur si shtresa aktive në një qelizë organike solare. Kombinimi në fjalë e absorbon saktësisht gjatësinë valore të dritës e cila na rrethon në dhomat e banimit, në biblioteka dhe në supermarkete.

Hulumtuesit i përshkruajnë dy variantet e qelizës solare organike në një artikull në Nature Energy, ku njëri variant e ka një sipërfaqe prej 1 cm2 dhe tjetri 4 cm2. Qeliza më e vogël solare iu ekspozua dritës së ambientit me një intensitet prej 1000 luksëve, dhe hulumtuesit vëzhguan se sa madje 26.1% e energjisë së dritës ishte shndërruar në elektricitet. Qeliza solare organike e dha një voltazhë të lartë prej mbi 1 V për më shumë se 1000 orë në dritën e ambientit që varionte midis 200 dhe 1000 luksëve. Qeliza më e madhe solare akoma e mbante një efikasitet të energjisë prej 23%.

“Kjo punë tregon për një premtim të madh për qelizat solare organike që të përdoren gjerësisht në jetën tonë të përditshme për ta furnizuar internetin e gjërave”, thotë Feng Gao, pedagog i vjetër në Divizionin e Elektronikës Biomolekulare dhe Organike në Universitetin Linköping.

“Jemi të sigurt se efikasiteti i qelizave solare organike do të përmirësohet më tej për aplikimet e dritës së ambientit në vitet e ardhshme, sepse është ende një hapësirë e të madhe për optimizmin e materialeve të përdorura në këtë punë”, theksoi Jianhui Hou, profesor në Institutin e Kimisë, Akademia Kineze e Shkencave.

Rezultati është një përparim i mëtejshëm në hulumtim brenda fushës së qelizave organike solare. Në verën e vitit 2018, për shembull, shkencëtarët, së bashku me kolegë nga një numër universitetesh të tjera, publikuan rregulla për ndërtimin e qelizave organike efikase solare. Artikulli i mblodhi 25 hulumtues nga shtatë universitete dhe u publikua në Nature Materials. Hulumtimi u drejtua nga Feng Gao. Këto rregulla janë vërtetuar se janë të dobishme përgjatë gjithë procesit për qelizën efikase solare për përdorim të brendshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme