Zuckerberg flet me krerët e BE-së për keqpërdorimin e të dhënave

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 12:12 | Nga

Shefi ekzekutiv i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, dje u paraqit para ligjvënësve drejtues të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Zuckerberg kërkoi ndjesë për lejimin e palëve të treta për të hyrë dhe keqpërdorur të dhënat personale të miliona përdoruesve të Facebook-ut.

“Ne nuk morëm një pamje të gjerë të mjaftueshme të përgjegjësisë sonë dhe kjo ishte një gabim. Dhe më vjen keq për këtë”, u tha Zuckerberg anëtarëve të Parlamentit Evropian në Bruksel, duke i bërë jehonë një apologjie që ai bëri para Kongresit të SHBA-ve gjatë seancave dëgjimore në muajin prill.

Zuckerberg u kritikua ashpër nga disa ligjvënës të BE-së, me Manfred Weber, një anëtar i Parlamentit Evropian nga Gjermania, i cili sugjeroi se Facebook është shumë i madh dhe duhet të ndahet në kompani më të vogla.

“Facebook, i cili zotëron poashtu aplikacionet Instagram dhe WhatsApp, nuk është monopol”, tha Zuckerberg, duke shtuar se ai ndjeu “sikur vijnë konkurrentë të rinj çdo ditë”.

Shërbimi i mediave sociale u kritikua rrënjësisht në fillim të këtij viti pasi u bë publike gjerësisht se firma e konsulencës politike Cambridge Analytica kishte qasje në të dhënat personale të rreth 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut pa pëlqimin e tyre.

Sipas deklaratave të Komisionit Evropian, edhe pse firma e të dhënave po punonte në emër të fushatës së presidentit Donald Trump në vitin 2016, ajo ishte në gjendje të përfshijë informacion edhe në rreth 2.7 milionë banorë evropianë.

Shumë nga ligjvënësit shprehën bezdi në formatin e takimit prej 80 minutash, i cili u krijua në mënyrë që të gjithë anëtarët parashtruan pyetjet e para dhe Zuckerberg iu përgjigj në mënyrë selektive pyetjeve në fund.

“Formati i sotëm ishte i papërshtatshëm dhe siguroi që Zuckerberg të shmangë pyetjet tona”, tha Guq Verhofstadt, një anëtar i Parlamentit Evropian nga Belgjika në Twitter.

“Unë besoj se përgjigjet me shkrim nga Facebook do të jenë të disponueshme. Nëse këto nuk janë përgjigjur me saktësi në detaje, autoritetet e konkurrencës së BE-së duhet të aktivizohen”, shkroi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme