Zuckerberg: Interneti ka nevojë për rregulla të reja

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Nga Mark Zuckerberg, themeluesi dhe kreu ekzekutiv i Facebook.

Teknologjia është një pjesë e madhe e jetës sonë dhe kompanitë si Facebook kanë përgjegjësi të mëdha. Çdo ditë, marrim vendime se cili fjalim është i dëmshëm, çfarë përbën reklamim politik dhe si të parandalojmë sulme kibernetike të sofistikuara. Këto janë të rëndësishme për mbajtjen e komunitetit tonë të sigurtë. Por nëse do të nisnim nga zeroja, nuk do t’u kërkonim kompanive që të bëjnë këto gjykime të vetme.

Unë besoj se ne kemi nevojë për një rol më aktiv nga qeveritë dhe rregullatorët. Duke përditësuar rregullat për internetin, ne mund të ruajmë atë që është më e mira në lidhje me të, lirinë që njerëzit të shprehin veten dhe sipërmarrësit të ndërtojnë gjëra të reja, duke mbrojtur gjithashtu shoqërinë nga dëme më të mëdha.

Nga ajo që kam mësuar, besoj se ne kemi nevojë për rregullore të re në katër fusha: përmbajtje e dëmshme, integritet të zgjedhjeve, privatësi dhe transportueshmëri të të dhënave.

Së pari, përmbajtja e dëmshme. Facebook u jep të gjithëve një mënyrë për të përdorur zërin e tyre dhe kjo krijon përfitime reale. Si pjesë e kësaj, ne kemi përgjegjësi për t’i mbajtur njerëzit të sigurtë në shërbimet tona. Kjo do të thotë të vendosësh se çfarë do të thotë propagandë terroriste, gjuhë e urrejtjes dhe më shumë. Ne i rishikojmë vazhdimisht politikat tona me ekspertë, por në pozicionin ku gjendemi ne gjithmonë bëjmë gabime dhe vendime me të cilat njerëzit nuk pajtohen.

Ligjbërësit shpesh më thonë se kemi shumë pushtet mbi fjalën dhe sinqerisht pajtohem me këtë. Kam arritur në një pikë ku besoj se ne nuk duhet të marrim shumë vendime të rëndësishme vetë. Pra, ne jemi duke krijuar një trup të pavarur në mënyrë që njerëzit të mund të apelojnë vendimet tona. Po punojmë gjithashtu me qeveritë, duke përfshirë zyrtarët francezë, për të siguruar efektivitetin e sistemeve të shqyrtimit të përmbajtjes.

Kompanitë e internetit duhet të jenë përgjegjës për zbatimin e standardeve për përmbajtjen e dëmshme. Është e pamundur të heqësh të gjithë përmbajtjen e dëmshme nga interneti, por kur njerëzit përdorin dhjetëra shërbime të ndryshme të shpërndarjes, të gjitha me politikat dhe proceset e tyre, ne kemi nevojë për një qasje më të standardizuar.

Një ide është që organet e palëve të treta të vendosin standarde që monitorojnë shpërndarjen e përmbajtjes së dëmshme dhe të masin efektivitetin e kompanive kundrejt këtyre standardeve. Rregullorja mund të përcaktojë bazën për atë që është e ndaluar dhe kërkon që kompanitë të ndërtojnë sisteme për minimalizimin e një përmbajtje të dëmshme.

Facebook tashmë publikon raporte të transparencës se sa efektivisht po heqim përmbajtje të dëmshme. Unë besoj se çdo shërbim i madh në internet duhet ta bëjë këtë çdo tremujor, sepse është po aq e rëndësishme sa raportimi financiar. Pasi duke kuptuar përhapjen e përmbajtjes së dëmshme, mund të shohim se cilat kompani po përmirësohen dhe ku duhet të vendosim linjat bazë.

Së dyti, legjislacioni është i rëndësishëm për mbrojtjen e zgjedhjeve. Facebook tashmë ka bërë ndryshime të rëndësishme në lidhje me reklamat politike: Reklamuesit në shumë vende duhet të verifikojnë identitetin e tyre para se të bëjnë reklama politike. Ne ndërtuam një arkiv që tregon se kush paguan për reklama, cilat reklama të tjera kanë zhvilluar më parë dhe cila është audienca që ka parë reklamat. Megjithatë, të vendosësh nëse një reklamë është politike apo jo nuk kuptohet gjithmonë qartë. Sistemet tona do të ishin më efektive nëse rregullorja do të krijojë standarde të përbashkëta për verifikimin e aktorëve politikë.

Ligjet e reklamimit politik në internet përqendrohen kryesisht në kandidatët dhe në zgjedhjet, në vend që të bëjnë ndryshime në çështjet politike ku ne kemi parë ndërhyrje. Disa ligje zbatohen vetëm gjatë zgjedhjeve, edhe pse fushatat e informimit janë të vazhdueshme. Ka edhe pyetje të rëndësishme rreth asaj se si fushatat politike përdorin të dhënat dhe targetimin. Ne besojmë se legjislacioni duhet të përditësohet për të pasqyruar realitetin e kërcënimeve dhe për të vendosur standarde për të gjithë industrinë.

Së treti, mbrojtja efektive e privatësisë dhe e të dhënave ka nevojë për një kornizë të harmonizuar globalisht.Njerëzit anembanë botës kanë bërë thirrje për rregullore gjithëpërfshirëse të privatësisë në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Europian dhe pajtohem me këtë. Unë besoj se do të ishte mirë për internetin nëse më shumë vende do të miratonin rregullore të tilla si GDPR si një kornizë të përbashkët.

Rregullorja e re e privatësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën duhet të ndërtohet mbi mbrojtjen që GDPR ofron. Duhet të mbrojë të drejtën tuaj për të zgjedhur mënyrën se si përdoret informacioni juaj – duke iu mundësuar kompanive që të përdorin informacionin për qëllime sigurie dhe për të ofruar shërbime. Nuk duhet të kërkojë që të dhënat të ruhen në nivel lokal, gjë që do ta bënte atë më të pambrojtur ndaj qasjes së pajustifikuar. Dhe duhet të krijojë një mënyrë që kompani të tilla si Facebook të japin llogari duke imponuar sanksione kur bëjmë gabime.

Unë gjithashtu besoj se një kornizë e përbashkët globale – në vend të rregullores që ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga shteti – do të sigurojë që interneti të mos shkëputet, sipërmarrësit mund të ndërtojnë produkte që i shërbejnë të gjithëve dhe secili merr të njëjtën mbrojtje.

Ndërsa ligjvënësit miratojnë rregullore të reja të privatësisë, shpresoj që ata mund të ndihmojnë në përgjigjen e disa prej pyetjeve që GDPR ka lënë pezull. Ne kemi nevojë për rregulla të qarta kur informacioni përdoret për t’i shërbyer interesit publik dhe si duhet të aplikohet për teknologjitë e reja siç është inteligjenca artificiale.

Së fundi, rregullorja duhet të garantojë parimin e transportueshmërisë së të dhënave. Kjo u jep njerëzve mundësi zgjedhjeje dhe u mundëson zhvilluesve të inovohen dhe konkurrojnë.

Kjo është e rëndësishme për internetin dhe për krijimin e shërbimeve që njerëzit duan. Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërtuar platformën tonë të zhvillimit. Transportueshmëria e të dhënave duhet të duket më shumë si mënyra se si njerëzit përdorin platformën tonë për t’u bërë pjesë e një aplikacioni. Por kjo kërkon rregulla të qarta rreth asaj se kush është përgjegjës për mbrojtjen e informacionit kur lëviz ndërmjet shërbimeve.

Kjo gjithashtu ka nevojë për standarde të përbashkëta, prandaj mbështesim një format standard të transferimit të të dhënave dhe projektin e transferimit të të dhënave me burim të hapur.

Unë besoj se Facebook ka një përgjegjësi për të ndihmuar në adresimin e këtyre çështjeve dhe pres që t’i diskutoj me ligjvënësit anembanë botës. Ne kemi ndërtuar sisteme të avancuara për gjetjen e përmbajtjeve të dëmshme, ndalimin në ndërhyrjet e zgjedhjeve dhe bërjen e reklamave më transparente. Por njerëzit nuk duhet të mbështeten tek kompanitë individuale që i adresojnë këto çështje vetë. Duhet të kemi një debat më të gjerë në lidhje me atë që duam si shoqëri dhe se si rregullorja mund të ndihmojë. Këto katër fusha janë të rëndësishme, por, sigurisht, ka shumë më shumë për të diskutuar.

Rregullat që qeverisin internetin, lejuan një brez sipërmarrësish për të ndërtuar shërbime që ndryshuan botën dhe krijuan shumë vlerë në jetën e njerëzve. Është koha për të rinovuar këto rregulla për të përcaktuar përgjegjësi të qarta për njerëzit, kompanitë dhe qeveritë që shkojnë përpara. (Burimi: WashingtonPost | Përktheu: Businessmag)

Të ngjashme