Adelina Thaçi njofton se është siguruar gjaku i kërkuar për shërimin e babait të saj, humoristit Cima

Prishtinë | 11 Mar 2021 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Aktori i njohur i humorit, Rasim Thaçi – Cima, është i infektuar me virusin COVID-19.

Ai po trajtohet në spital, gjersa u raportua të enjten nga vajza e tij, këngëtarja Adelina Thaçi – Meta, se familjes po iu nevojiteshin mbi 50 antitrupa nga persona me gjakun A pozitiv apo negativ që e kanë kaluar virusin, për shërimin e aktorit.

Mobilizimi duket se ka qenë i menjëhershëm dhe në pak orë, familja Thaçi e ka siguruar gjakun e nevojshëm.

Këtë e bëri të ditur vet këngëtarja Thaçi – Meta përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku njëherësh i falënderoi nga zemra ata që dhuruan gjak për familjen e saj.

“Të dashur miq, gjaku është siguruar, nga zemra ju faleminderit për krejt ju që më keni kontaktuar e keni shprehur vullnetin me ardhë, dhe me dhanë gjak. Ju falënderojmë të gjithëve! Me respekt familja Thaçi”, ka shkruar Adelina në Facebook.

Aktori Rasim Thaçi është i njohur për numër të madh skeçesh humoristike, të cilat ndër vite kanë bërë të qeshin mbarë popullin shqiptar.

Të ngjashme