Albert Bunjaku ëndërron organizimin e një ndeshje lamtumirëse me Kosovën

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Albert Bunjaku ka thënë se e ëndërron organizimin e një ndeshje lamtumirëse me Përfaqësuesen e Kosovës, transmeton Gazeta Metro.

FIFA i kishte dhënë lejën Federatës së Futbollit të Kosovës në vitin 2014 që të organizojë ndeshje miqësore me përfaqësuese tjera, e atëherë filluan që futbollistët kosovarë t’i bashkohen ‘Dardanëve’.

Njëri nga futbollistët e parë që kishte pranuar të luajë për Kosovën ishte Albert Bunjaku, i cili më parë ishte reprezentues i Zvicrës. Ai në një intervistë për ‘Kohën’ ka thënë se e ëndërron organizimin e një ndeshje lamtumirëse me Kosovën.

“Do të ishte edhe një ëndërr tjetër e realizuar sikur Kosova do të ma mundësonte ndeshjen përshëndetëse në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, qoftë edhe një minutë. Do të ishte për mua një mbrëmje madhështore. Jam ndier mirë kur e kam veshur fanellën e Kosovës dhe do të më mbetej meraku i jetës nëse nuk do të kisha një ndeshje përshëndetëse. Nuk ka rëndësi a do të ishte ajo në kuadër të kualifikimeve apo miqësoreve, por vetëm një minutë sa për t’u përshëndetur. Nuk i bëj presion askujt, por për mua do të ishte një tjetër ëndërr e realizuar”, është shprehur futbollisti i lindur në Gjilan.

“Ka qenë emocion i madh ta përfaqësoj vendin e lindjes. Edhe në Kupën e Botës kam luajtur, por për Kosovën e sidomos në ndeshjen kundër Haitit kam përjetuar një emocion të madh”, ka theksuar Bunjaku që për Kosovën nga viti 2014 deri në vitin 2016 ka shënuar tre gola në gjashtë paraqitje.

Çuditërisht askush nga Federata e Futbollit të Kosovës nuk e kanë kontaktuar për një gjë të tillë tani e katër vite lojtarin që dha kontribut jashtëzakonisht të madh për historinë e re të Kosovës.

Ndryshe, Albert Bunjaku është pjesë e skuadrës gjermane, Viktoria Koln, që bën gara në Bundesliga 3. 

Të ngjashme