Aliu i pakënaqur me institucionet: Me bizneset po ndihmojmë familjet me asistencë sociale

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 09:35 | Nga Hasan Hoti

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se fshati Bibaj nuk është në karantinë pasi që personi që rezultoi pozitiv me Coronavirus nga ky fshat nuk ka pas kontakt me askënd nga ky fshat.

Teksa ka folur për situatën në këtë komunë, i pari i Ferizajt, përmes telefonit ka thënë se nuk është i kënaqur me Qeverinë e Kosovës. Madje, Aliu i ka kërkuar MF-së, që t’i lejojë qasje në fondin rezervë.

“Situata në përgjithësi është shumë stabile, ku kemi vetëm një rast të prekur me coronavirus, e ai është nga fshati Bibaj. Ky fshat nuk është i izoluar, sepse s’ka pas asnjë arsye për faktin se i infektuari ka pas ardhjes në Kosovë është vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve. Kur ka shfaqur simptomat, është testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ku ka rezultuar pozitiv. Tash është duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë”, tha ai.

Aliu në për Ekonomia Online ka treguar për masat që komuna që ai e drejton i ka marrë me qëllim të parandalimit të Covid-19.

“Komuna e Ferizajt ka marrë një varg masash. Krahas masave që kanë dalë nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, kemi marrë edhe masa të tjera shtesë si komunë e Ferizajt. Gjithë këto masa kanë qenë në drejtim të parandalimit të përhapjes së Covid-19. Ndër masat e para kanë qenë masat dezinfektuese ku kemi bërë dezinfektimin e të gjitha institucioneve publike”, tha ai.

“Sot do të fillojmë dezinfektimin e banesave kolektive të vjetra, si rezultat i një iniciative private, të cilët i falënderoj qytetarët. Krahas kësaj kemi marrë edhe masa të mëhershme, si mbyllja e parqeve dhe tregjeve e të tjera”, tha ai.

I pari i Ferizajt, ka thënë se nuk është i kënaqur me mbështetjen e Qeverisë.

“…kemi adresuar në Ministrinë e Financave dhe Qeverinë e Kosovës kërkesat që të kemi fonde shtesë dhe të kemi mundësitë ligjore që në këto rrethana të përdorim mjete financiare në mënyrë që ta lehtësojmë këtë situatë dhe të jemi afër qytetarëve me mbështetje që zakonshëm kërkohen në këto situata”, tha Aliu.

Të ngjashme