Amnistimi i Vuçiqit nga liderët shqiptarë

Prishtinë | 23 Maj 2022 | 11:27 | Nga Afrim Kasolli

Deklarimi i kryeministrit Kurti në mediat ndërkombëtare, se “e dimë shumë mirë që presidenti i Serbisë ishte ministër i informacionit në kohën e Millosheviqit. Por, mund ta marr me mend se Millosheviqi kurrë s’e ka pyetur Vuçiqin. Prandaj, s’duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili kurrë nuk e pyeste”, është deklarim i papjekur politikisht dhe i dëmshëm moralisht.

Sepse, me këtë qasje e relativizon dhe amniston Vuçiqin nga pesha e mëkateve të së kaluarës së tij politike.

Pra, sipas kryeministrit Kurti, ai nuk paska pasur ndonjë peshë politike në regjimin gjenocidal të Milosheviqit, por paska qenë vetëm një dekor “estetik” i atij sistemi.

Kryeministri duhet ta dijë se njëra nga kategoritë qendrore të politikës është solidariteti. Dhe se presidenti aktual i Serbisë ka demonstruar solidaritet të plotë me politikat regjimit të Millosheviqit. Prandaj ai ka përgjegjësi po aq, sa ish-presidenti i ish-Federatës Jugosllave.

Madje Vuqiçi, siç dihet, ishte pjesë e asaj qeverie, si i deleguar nga Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit. Ky i fundit shpeshherë kishte mospajtime me Milosheviqin, jo për politikat e spastrimit etnik ndaj popujve tjerë, por pse nuk ishte aq efikas sa duhej në zbatimin e zgjidhjes finale.

Kurse, Millosheviqi e përdorte Sheshelin, si gogol para bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të dukeshin demokratike politikat e spastrimit etnik që po zbatonte. Sepse, po të mos jetë ai në pushteti, atehere, do të kishin punë me Partinë Radikale të Sheshelit. Prandaj, ta konsiderosh pa peshë, presidentin aktual serb, në atë koniunkture është gabim fatal dhe thirrje për amnezi historike dhe politike.

Mjerisht, thuajse ka një dashuri fatale të liderëve shqiptarë për t’i ndihmuar Vuqicit, në tema që as ai vetë nuk ka vullnet t’i ndihmohet. Njëri e quan “miku im Aleksandër”, tjetri dikur e quante “djalë jo-problematik”, sot kryeministri i Kosovës e konsideron pa asnjë përgjegjësi për të kaluarën e tij.

Një gjë është e sigurt, duke e çliruar atë nga ndenja e fajit, nuk i ndihmohet atij. Por Vuciqit mund t’i ndihmohet vetëm duke e detyruar të ballafaqohet me jetëshkrimin e tij të errët politik. Sepse me këtë qasje relativizuese vetëm sa i përndizen pasionet për projektin e parealizuar.

Dhe në këtë mënyrë po ashtu nuk i kontribuohet kauzës së shtetit të Kosovës. Ngase ai nuk ndjen asnjë përgjegjësi, morale, etike, njerëzore dhe politike, për krimet e aparatit shtetëror serb, pjesë integrale e të cilit ishte, mbi popullsinë civile të shqiptarëve të Kosovës. Dhe shpëtimin nga kjo barrë në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, po ia ofrojnë liderët shqiptarë, nga shpresa naive për një rilindje të mundshme të tij.

Të ngjashme