Barcelona merr ofertë zyrtare për Rey Manajn

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Rey Manaj është duke luajtur në të gjitha ndeshjet miqësore për Barcelonën.

Sulmuesi shqiptar megjithatë ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij, nëse do të mbetet tek gjiganti katalunas apo do të largohet gjatë verës.

Shumë skuadra kanë shprehur interesim për transferimin e tij, derisa tanimë Barcelona ka marrë ofertën e parë zyrtare.

Mediat katalanase dhe më konkretisht Sport.es bën me dije se në drejtim të Barcelonës ka arritur një ofertë nga Maccabi Tel Aviv me izraelitët që kanë ofruar 1,5 milionë euro për gjysmën e kartonit të sulmuesit të kombëtares shqiptare.

Një ofertë që gjithsesi nuk ka tunduar Barcelonën e cila është e pavendosur se çfarë do të bëjë me Manaj, ndërkohë që ofertat në drejtim të tij nuk mungojnë.

Përveç Sassuolos dhe Venezias nga Serie A dhe Real Betis e Granadas në La Liga, për Rey Manaj ka shfaqur interes edhe klubi kazak i Aktobes që është gati të bindë Barcelonën me një ofertë të majme ekonomike.

Të ngjashme