Brenda muajit ngrihet aktakuza për rastin e Drenasit, prokuroria me veprime tjera hetimore

Prishtinë | 15 Maj 2019 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga publikimi i skandalit me abuzimin seksual të së miturës nga Drenasi.

Ndonëse ishte paralajmëruar se aktakuza do të dorëzohet ditën e hënë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, shkruan lajmi.net.

E një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak se prokurori i rastit në fjalë ka ndërmarrë disa veprime shtesë.

Kjo është konfirmuar edhe nga zëvendëskryeprokurori i Prishtinës, Ibrahim Berisha.

Ai për lajmi.net ka thënë se aktakuza pritet të dërgohet në Gjykatë brenda këtij muaji, ndonëse ka thënë se nuk mund të flasim për ditë apo data të caktuara.

“Prokurori i rastit ka ndërmarrë disa veprime shtesë, dhe presim që aktakuza të dërgohet në Gjykatë shumë shpejtë. Ndonëse nuk mund të flasim për data, kjo pritet të ndodhë brenda këtij muaji”, ka bërë të ditur Berisha.

E pikërisht me kërkesë të Prokurorisë, jo shumë kohë më parë ishin liruar nga burgu polici Vesel Veseli e profesori Shkëlzen Xhekaj të cilët paraprakisht ishin duke qëndruar në paraburgim.

Atyre u është caktuar masa e burgut shtëpiak, masë kjo e njëjtë e cila i ishte caktuar më herët edhe për avokatin Gazmend Halilal, si dhe për gjinekologun që dyshohet se kishte kryer abortin e së miturës, Fehmi Ahmeti.

Në lidhje me këtë çështje, ishin mbajtur edhe protesta në Drenas e Prishtinë. 

Të ngjashme