COVAX thotë se pjesa e parë e vaksinave shpërndahet në muajin mars për vendet që kanë plotësuar kriteret

Prishtinë | 26 Shk 2021 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse vendet e rajonit tashmë kanë filluar vaksinimin, Kosova ende nuk ka arritur të marrë dozat e para të vaksinës antiCOVID-19, ani pse u tha se këto vaksina do të arrijnë në muajin shkurt.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj në janar të këtij viti konfirmoi se Kosova ka siguruar 500,000 vaksina kundër COVID-19 nga kompania Pfizer.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë takimit të Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës me COVID-19, deklaroi se Kosova është në pritje të kontingjentit të parë të vaksinës AstraZeneca, e cila pritet të arrijë në kuadër të programit të COVAX-it.

Aleanca COVAX në një përgjigje për Telegrafin ka deklaruar se dërgesa e parë e vaksinave pritet të ndodhë në muajin mars të këtij viti.

“COVAX parashikon që pjesa më e madhe e raundit të parë të dërgesave të ndodhë në mars, me disa dërgesa të hershme për ato që kanë përmbushur tashmë kriteret e përshkruara në deklaratën tonë të përbashkët, që ndodhi këtë javë. Më shumë informacion në lidhje me këto dërgesa të para do t’u komunikohen të gjithë pjesëmarrësve dhe do të publikohen në internet në ditët në vijim”, thuhet në përgjigjen e COVAX për Telegrafin.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Aleanca COVAX më 16 shkurt 2021, kanë përmendur disa kritere në bazë të së cilave do të bëhet shpërndarja e vaksinave.

Të pyetur nëse Kosova është në mesin e vendeve që kanë përmbushur këto kritere, në përgjigjen e COVAX thuhet se “duhet të presim derisa dokumenti të botohet”.

Aleanca COVAX në raportin e publikuar më 3 shkurt, tregon se Kosova do të furnizohet me vaksina të kompanisë AstraZeneca, ndonëse Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka siguruar ende vaksinën e kësaj kompanie. Sipas këtij raporti thuhet se Kosova do të përfitojë nga COVAX, 100,800 doza ta vaksinës antiCOVID-19.

Në anën tjetër nga institucionet e Kosovës nuk është dhënë ende ndonjë datë se kur pritet të arrijnë vaksinat.

Zyra e Kryeministrit sot përmes një njoftimi për media ku ka paralajmëruar ashpërsim të masave, ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë është duke pritur kontingjentin e parë të vaksinave dhe është e gatshme që posa të vijnë, të zbatohet strategjia e vaksinimit anti COVID-19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme