Dënohet me 200 euro gjobë me kusht i akuzuari që kishte kanosur të dëmtuarin me fjalët “hajde këtu të masakroj”

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Është dënuar me 200 euro gjobë me kusht i akuzuari për kanosje, Orhan Nuredini.

Aktgjykimi është shpallur të enjten nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, Avdirrahman Gashi.Sipas aktgjykimit, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet në afat prej një viti, nëse Nuredini nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai gjithashtu obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 30 euro.

Kurse, pala e dëmtuar u udhëzua që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontekst civil.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Orhan Nuredinit më 2 qershor 2020, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal.Sipas aktakuzës, Nuredini më 16 mars 2020, në rrugën “Fehmi Agani” në Lipjan, pas një mosmarrëveshje të atëçastshme që kishte me të dëmtuarin E.G., me dashje e ka kanosur atë.

Siç thuhet në aktin akuzues, fillimisht Nuredini e kanos të dëmtuarin me gjeste dhe gati sa nuk e ka goditur, e pastaj me fjalët “hajde këtu të masakroj”, me ç’rast të ky i fundit ka shkaktuar ndjenjën e ankthit dhe frikësimit.

“Kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 181 të Kodit Penal.

Të ngjashme