Dënohet me gjobë i akuzuari që e pranoi fajësinë që kanosi ish-deputetin Milaim Zeka

Prishtinë | 21 Tet 2020 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 300 euro gjobë, të akuzuarin për kanosje, Fisnik Loci.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Ahmet Rexhaj, pasi që paraprakisht i akuzuari është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimit fillestar

Sipas këtij aktgjykimi i akuzuari është i obliguar që dënimin me gjobë ta paguajë në afat prej 30 ditësh.

I njëjti është obliguar edhe në pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 20 euro dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në shumë prej 30 eurove.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Astrit Gashi, i pandehuri deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti kërkoi falje para gjykatës për veprën penale të cilën e ka kryer.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Gashi, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur me 4 qershor 2020, Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurin Fisnik Loci, e akuzon se me 30 mars 2020, në rrjetin social ‘‘Facebook’’, seriozisht e kanos tjetrin me fjalë, se do ta privojë nga jeta, me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit tek personi i tillë.

Në këtë dispozitiv thuhet se i pandehuri Loci, përmes rrjetit social të lartcekur, në komentin e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, ka postuar me shkrim komentin-mesazhin kërcënues për vrasjen e tij, me fjalët ‘‘po normal Milaim Zeka, më shpall zgjedhjet jo me përforcu hajnat e ty mas juve duhet me ju vra pa asnjë fjal prej teje e më thaqin e me tonë ata që kanë votu mocionin m*ta bre robt juve’’, dhe si pasojë e kësaj, tek i dëmtuari ka shkaktuar frikës dhe ankth.

Në bazë të këtyre veprimeve akuzohet për veprën penale ‘‘Kanosje’’, nga neni 181 paragrafi 2 të KPRK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme