Drita lider i ri në Ipko Superligë, pas fitores së thellë ndaj Drenicës

Prishtinë | 28 Shk 2020 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Drita ka marrë fitoren e tretë radhazi në edicion in pranveror, teksa para tifozëve të vet ka mposhtur lehtësisht Drenicën me rezultat 4-1.

Gjilanasit e nisën fuqishëm takimin, kur vetëm pas tetë minutave lojë kaluan në epërsi falë golit të Kastriot Rexhës e që u asistua nga Xhevdet Shabani.

Në minutën e 21-të, Drita gjeti edhe golin e dytë, ku realizoi përsëri Kastriot Rexha, por që kësaj radhe u asistua nga Erjon Vucaj.

Golin e tretë dhe të sigurisë bardhekaltërtit e shënuan në minutën e 30-të me Betim Haxhimusën realizator.

Me epërsinë 3-0 të Dritës përfunduan 45 minutat e para.

Në pjesën e dytë Drita nuk shpenzoi edhe shumë energji, duke u fokusuar në mbrojtje.

Drenica arriti golin e nderit në minutën e 61-të, kur shënoi sulmuesi Alban Shillova.

E krejt në fund të sfidës, Ilir Blakçorri asistoi për mrekulli te Izair Emini i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 4-1.

Drita me këtë fitore merr kryesimin e renditjes me 40 pikë të tubuara, sa ka edhe Ballkani, por që gjilanasit kanë goldallim më të mirë.

Në anën tjetër Drenica mbetet në pozitën e tetë në tabelë me 24 pikë pas 20 ndeshjeve.

Ndeshjen e ardhshme Drita do ta zhvilloj në udhëtim te lideri i deritashëm Ballkani, ndërsa Drenica para tifozëve të vet pret Flamurtarin. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme