Egzon Shala mposhtet në çerekfinale, por ende shpreson në medalje olimpike

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Mundësi kosovar Egzon Shala është mposhtur në çerekfinale të mundjes në Lojërat Olimpike 2020 në Tokio, por shpresat e tij për medalje olimpike janë ende gjallë.

Shala u mposht nga Amir Hossein Zare i Iranit në duelin çerekfinal në kategorinë -125 kilogramë të enjten herët në mëngjes, raporton Gazeta Express.

30-vjeçari nga Suhareka e kishte fituar luftën e parë ndaj algjerianit Djahid Berrahal, por disfata në çerekfinale nënkupton se ai e ka humbur mundësinë për të luftuar për medalje të artë apo argjendtë.

Ai është garuesi i fundit i Kosovës në Tokio.

Shala tani shpreson se do të jetë në mesin e mundësve që e sigurojnë një vend në gjysmëfinale për medaljen e bronztë në Tokio, megjithëse nuk është më në dorën e tij.

Atij tani i duhet të shpresojë në fitore të iranianit Zare në gjysmëfinale, për t’iu mundësuar garimin në repesazh. Lufta e iranianit me Petriashvillin e Gjeorgjisë, zhvillohet prej orës 11:15 me kohën tonë.

Shala synon historinë në Tokio, pasi do të bëhej atleti i parë kosovar që fiton medalje olimpike.

Kosova i ka tri medalje olimpike nga dy pjesëmarrje në Olimpiadë në historinë e vet, por të trija të fituara nga çikat dhe në sportin e njëjtë, xhudo.

Majlinda Kelmendi e fitoi të artën në Rio 2016, ndërsa Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova po ashtu fituan medalje të arta në kategoritë e veta përkatëse në Tokio 2020.

Të ngjashme