EPIK: Zgjedhjet për Parlamentin Evropian 2019: E panjohura, e njohur

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 13:28 | Nga Ekonomia Online

Studimi i Institutit EPIK: ZGJEDHJET PËR PARLAMENTIN EVROPIAN 2019: E PANJOHURA E NJOHUR:

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të prodhojnë një Parlament më të fragmentuar, ku për herë të parë pas 40 viteve, sipas projeksioneve, koalicioni EPP dhe S&D do të humbas shumicën, ndërsa fitues relativ do të janë ALDE-En Marche dhe partitë populliste

Para disa orëve në Holandë ka filluar ushtrimi i dytë më i madh demokratik në botë, me ç ‘rast nga 23 deri 26 maj afro 400 milionë qytetarë të BE-së do të iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 751 deputetë të cilët do ti përfaqësojnë ata në Parlamentin Evropian.

Ky festim i demokracisë nuk do ikte pa u shënuar në institutin tonë. Disa muaj të fundit kemi punuar në hulumtimin për zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Ne vendosëm të kthejmë vëmendjen tonë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian kryesisht për dy arsye:

  1. Zgjedhjet kanë rëndësi të madhe për vet BE-në. Në kohën kur forcat progresive dhe popullistë janë në ballafaqim të drejtpërdrejt në të gjitha kontinente, Parlamenti i ardhshëm Evropian përbënë fushëbetejën e ardhshme strategjike të këtyre forcave kundërshtare. Zgjedhjet nuk do të përcaktojnë vetëm fatin e BE-së, por balancin e forcave globale.
  1. Arsyeja e dytë rrjedh natyrshëm nga ajo e para. Për shkak të rëndësisë së tyre, zgjedhjet do të kenë ndikim të madh në politikë e BE-së karshi Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

Pra pas disa muajve hulumtimi, në fund të gjithë jemi në ankth për të kuptuar përgjigjen në pyetjen – çfarë do jetë rezultati i zgjedhjeve?

Para që e japim përgjigjen, duhet nënvizuar se parashikimi ynë për Parlamentin e ardhshëm Evropian bazohet në sondazhet nacionale të gjeneruara nga POLITICO. ‘Trendi i Kalmanit’ është përdorur për të krijuar një trend për çdo parti politike kombëtare.

Projeksionet e këtij studimi bazohen në sondazhet POLITICO-s, të datës 18 maj 2019. Ne kemi verifikuar të dhënat POLITICO-s me katër sondazhe të tjera: sondazhi i Financial Times (maj 2019), EUROPELECTS (maj 2019), Kantar Public, i kontraktuar nga Parlamenti Evropian (prill 2019) dhe parashikimet e ECFR-së (prill 2019). Ne nuk kemi arritur të gjejmë dallime të mëdha në të dhënat e këtyre sondazheve.

Në përmbledhje, studimi nxjerr shtatë konkluzione:

  1. Përkundër humbjes prej afro 6.5%, fronti pro-BE (EPP, S&D, ALDE+En Marche, GREENS-EFA) do të mbesin forca më e madhe politike e BE-së, me 63.2% të votës së përgjithshme.
  1. Sidoqoftë, për herë të parë që nga viti 1979, dy të mëdhenjtë, EPP dhe S&D, do të humbasin shumicën. Parashikojmë që ata do të fitojnë 42% të votës së përgjithshme, gjë që do shënon rënie nga 54% në 2014.
  1. Pasi që “koalicioni i madh” EPP dhe S&D nuk do të ketë shumicën e Eurodeputetëve në Parlamentin Evropian, këto familje politike do të duhet të punojnë me grupet e tjera në Parlamentin e ardhshëm Evropian për të çuar përpara projektin evropian. (ECFR, prill 2019).
  1. Euroskeptikët (Aleanca Evropiane e Popujve dhe Kombeve (ish-ENF), ECR, GUE / NGL, 5STAR + BREXIT (ish-EFDD)), do të shënojnë rritje prej 2.7%, duke fituar 30.2% të votës së përgjithshme.
  1. Pasi që do të shënojnë rritje të madhe, ALDE+En Marche do të jenë “king-maker” i koalicionit EPP dhe S&D.
  1. Partitë e reja dhe të pa-rreshtuara do të shënojnë rritje prej 3.7%, me 6.5% të votës së përgjithshme.
  1. Në mandatin e institucioneve të reja të BE-së, 2019-2024, nuk duhet shpresuar për zgjerim të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Mund të pritet progres në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. E njëjta mund të ndodh në rastin e Serbisë, nën supozimin e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Në rast të marrëveshjes, Kosova nga ana tjetër do të fitojë liberalizimin e vizave dhe, në një skenar optimist, do të fitojë statusin e kandidatit. Statusin e kandidatit mund të fitoj edhe Bosnja dhe Hercegovina.

Bashkangjitur gjeni studimin e fundit nga Instituti EPIK: ZGJEDHJET PËR PARLAMENTIN EVROPIAN 2019: E PANJOHURA E NJOHUR.

Po ashtu bashkangjitur gjeni një numër infografikave të ekstraktuara nga studimi për përdorimin tuaj sa më të lehtë.

Të ngjashme