FBI do të marrë pjesë në hetimet e eksplodimit në Bejrut

Prishtinë | 15 Gus 2020 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Një ekip i hetuesve nga FBI do të arrijë këtë fundjavë në Liban për të hetuar eksplodimin e madh që ndodhi në Bejrut, ka thënë një zyrtar i lartë i SHBA-së pasi që vizitoi vendin e shpërthimit.

David Hale, nënsekretari i Shtetit i SHBA-së për marrëdhënie politike, bëri thirrje për një hetim të tërthortë dhe transparent. Ai tha se ekipi i FBI-së do të vjen pas ftesës nga autoritetet libaneze në mënyrë që të kuptohet se çka shkaktoi eksplodimin e 4 gushtit ku u vranë afro 180 persona dhe u lënduan me mijëra tjerë.

Arsyeja e shpërthimit të 3,000 tonëve të nitratit të amonit në portin e Bejrutit ende mbetet e paqartë. Janë shfaqur dokumentet ku shihet se udhëheqësit e lartë të shtetit dhe zyrtarët e sigurisë kanë qenë të vetëdijshëm për këtë substancë që po mbahej në port. Edhe hetuesit francez po marrin pjesë në këtë hetim.

Shumë libanezë dëshirojnë që hetimet të mos bëhen nga qeveria e tyre, duke pasur frikë se korrupsioni dhe grindjet në mes partive dhe fraksioneve nuk do të nxjerrin asgjë në dritë.

Zyrtarët e lartë të Libanit, përfshirë edhe presidenti Michel Aoun, kanë refuzuar thirrjet për hetime të pavarura duke thënë se do të politizohen dhe do të jenë “humbje kohe”.

Mllefi i popullit është rritur edhe më shumë ndaj elitës politike, korrupsionit dhe keq menaxhimit në Liban. Udhëheqësit perëndimorë kanë thënë se do të dërgojnë ndihma drejtpërdrejtë popullit libanez dhe me miliarda dollarë nuk do t’i jepen shtetit para se të bëhen reforma të mëdha në qeveri.

Të shtunën, familja dhe miqtë varrosën Ralph Malahin, një zjarrfikës 23 vjeç i cili është në mesin e 10 zjarrfikësve tjerë që vdiqën gjatë eksplodimit. Tre tjerë ende janë të zhdukur nën rrënojat e eksplodimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme