Fundi i një manipulanti!

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 10:55 | Nga Kimete Berisha

Shqiptarët është zor t’i mashtrosh, për shkak se veç për qejfi janë dyshues, se lëre më nëse ju ke premtuar një ‘tjetër jetë’ dhe nëse e hetojnë se dikush po luan me ‘sinqeritetin’ e tyre!
.
Është zor t’i mashtrosh për një kohë të gjatë, sepse janë të papunë dhe të varfër, asgjë nuk kanë, përveç kohë, për ta zënë njëri-tjetrin në rren!

Mashtrimi është zeje e rëndë. Lyp shumë koncentrim dhe talent.
Shumë më llogari ke të jesh i sinqertë!

Me t’mashtru unë për shembull, kurrë s’e kishe ditë kah po t’vjen, sepse mashtrimi duhet të bëhet pa dëshmitarë, dhe mund ta mashtrosh veç një njeri (ose veç e veç), e jo të gjithë përnjëherë, publikisht.

Nuk mund t’i mashtrosh të gjithë përnjëherë, me një palë fjalë!

Koha që e jetojmë, është e mërzitshme dhe e padrejtë, por e ka një të mirë që nuk e ka pasur asnjë kohë para nesh: Nuk mund të gënjesh e të mos zbulohesh!
Nuk mund të jesh tradhtar e një historian i pushtetit aty, të të shpall hero.

Sepse, çdo gjë që ekziston, çdo gjë që është shpikur, të zbulon.
Problemi më i madh sot është se s’ke se ku ta fshehësh të vërtetën!

Secila fjalë regjistrohet, arkivohet, në çdo moment, në çdo qosh, kurrë pa pushuar, secili qytetar e ka një kamerë dhe një mikrofon në telefon!

Ti nuk mund të thuash ‘s’kam
thënë’ apo më keni keqkuptuar, sepse të kanë xhiruar!
Ti nuk mund të thuash ‘s’kam qenë’, sepse teknika i ka bërë krejt njerëzit e botës dëshmitarë.
Jo gazetarët, por secili kalimtar i rastit, pa asnjë ditë shkollë, mund të zbulojë skandale të mëdha, t’i xhirojë dhe t’i shpërndajë online.

Askush, as media as politika nuk e dikton më të vërtetën.
Mund të bie rrjeti dhe bashkë me të edhe e vërteta. Por kur mbesim në terr, fjala e askujt më nuk bën dritë!
Askush nuk mashtrohet në terr, sepse në terr askush-askujt nuk i beson!

Bota duket më e pashpirt dhe më pandershme në kohën tonë, jo pse është më e pamēshirshme dhe më e pandershme seç ka qenë gjithmonë, por sepse e vërteta tani nuk është larg, zbulohet pa i dhënë zor, e vërteta të imponohet, pa dashur ti hiç ta tregojnë të vërtetën, të vjen te dera, pa e kërkuar!

Albin Kurti, e meriton përbuzjen tonë të madhe, sepse nuk ka lënë gjë pa manipuluar për pushtet.

Ka bërë politikë me sentimentet më të forta të shqiptarëve.

Ka manipuluar me dashurinë e shqiptarëve.
Ka manipuluar me dhimbjen e shqiptarëve.
Ka manipuluar me shpresën e shqiptarëve, që dëshpërimisht kanë kërkuar ndryshim.

Jemi i vetmi popull në botë që e përdorim
idiomën:
‘Më shumë e dua sherrin e shpejt sesa hajrin e ngadalshëm’,
prandaj kërkuan ndryshim të shpejt, të menjëhershëm, dhe Albin Kurti vërtetë e bëri ndryshimin urgjent, ama i ndryshoi vetëm fjalët e veta.

Lëpiu çdo gjë që pështyu.

Karrierën e mashtrimit e filloi si nekrofil duke i shfrytëzuar të zhdukurit për ta fituar pushtetin, me premtimin se kurrë nuk do të pranonte bisedime me Serbinë pa u zbardhur fati i të zhdukurve.

Nuk e mbajti fjalën.
Kjo është e pamoralshme!
Veç një kriminel nuk e pranon që kjo është e pamoralshme!

E ka manipuluar dashurinë e shqiptarëve për bashkim kombëtar.
Anipse kjo dashuri tash është një ish-dashuri.

Por, anipse askush s’ka më nevojë për t’u bashkuar, ai nuk është dashur të luaj me dashurinë e të parëve tanë, se nuk ia lejojmë !

E di ai mashtrues se pse u zbuluan kaq shpejt hilet e tij?
Sepse i ka prekur shqiptarët në zemër, aty ku dhemb më së shumti, i ka prekur në dashuri!

Ata që na kanë prekur në xhep, edhe mund t’i falim, ama ata që na kanë prekur në zemër, nuk i falim.
Se ata që na kanë prekur në xhep, nuk e kanë blerë me paret tona dashurinë tonë.

Ata thjesht kanë lakmuar të posedojnë gjëra,, kurse Albin Kurti ka lakmuar të posedojë njerëz!

Sa herë çelet tema e lakmisë, unë e përmend Rembrantin, i cili e kishte shitur varrin e gruas së tij, për pare.
Ishte kohë murtaje, kishte krizë për të gjetur tokë për varre, dhe Rembranti që kishte nevojë për pare, e shiti varrin e gruas.

Nuk ekziston dashuria. Nuk ekziston dashuria në asht dhe në hi.
Dashuria është trup, mundësisht i ri dhe i bukur të jetë trupi, pa trup -dashuria shuhet!
Akush nuk i dashuron të vdekurit dhe hijet.

Dashuria është shpikje e letërsisë, është premtim që shëron shpirtin si ilaç, por në fakt e trazon dhe e këput shpirtin.
Ne kujtojmë se nuk mund të jetojmë pa dashuri, por në realitet jetojmë pa dashuri dhe s’na gjen gjë!

Albin Kurti na ka vjedhur për hatër të serbëve të Veriut.
Me paret tona ua blen serbëve rrymën. Kjo është e neveritshme. Veç një idiot nuk e kupton sa e neveritshme është kjo.

Shqiptarët e kanë parë se si e ka përdorë Njësinë Speciale për fushatë elektorale, ndërsa organizatorin e bllokadës dhe sulmeve ndaj policëve dhe gazetarëve shqiptarë – ministrin e tij, Rakiqin, nuk ka këllqe ta shkarkojë.

Sepse është i lig.
E ka bërë ministër por thotë se nuk do ta bëj ‘çështje’ duke e shkarkur.
Ky bën sofizmat më pashije dhe më palidhje që i kam dëgjuar.
Rakiqin e bën ministër por nuk e bën çeshtje!
Allahile!

Ka lejuar punësimin e familjarëve të ministrave të tij dhe e ka arsyetur nepotizmin në qeverinë e tij, sepse ai e di, se nëse nuk i lejon ministrat të vjedhin – ata i ikin.

Ka gënjyer se ke qenë ushtar i UÇK-së, ndërsa shqiptarët e dëgjuan duke thënë ‘kurrë armë me dorë nuk kiisha marrë’!
Kështu ka thënë pas masakrës së shtetit serb ndaj familjes Jashari!

Pra, e ka nënçmuar sakrificën e dëshmorëve, i ka nënçmuar të gjithë ata që për lirinë e Albin Kurtit e morën armën në dorë!

E pamë duke u shoqëruar vetëm dhe ekskluzivisht me ata që mendon se janë më të ‘vegjël’ se ai.

Ndërsa, është prishur me të gjithë gazetarët dhe me intelektualët e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Ndjehet i qetë veç pranë atyre që e adhurojnë verbërisht.

Edhe Ibrahim Rugova, po, e kishte zanat të shoqërohej veç me popullin e thjeshtë, ama ai nuk i nënçmonte intelektualët, me fjalë!

Ndoshta i ‘nënçmonte’ duke i mbajtur në distancë. E urrente afërsinë! Edhe unë e urrej afërsinë, prandaj e mirëkuptoj!

Ibrahim Rugova ndjehej më mirë i vetmuar ose me shqiptarë të thjeshtë, ndërsa Albin Kurti mendon se nëse lidhesh me popullin, nuk të duhet askush tjetër, as Amerika!

Por në kohën e Rugovës ishte ndryshe, e kishim vetëm ‘Bujkun’ dhe s’kish kush që shkonte shpi për shpi për t’u treguar shqiptarëve çdo gjë që dihej për Ibrahim Rugovën.

Në atë kohë, jo çdo gjë që e dinin gazetarët- e shkruanin, e tash shkruhet edhe më shumë seç dihet.
Prandaj, Albin Kurti ka dështuar.

Ibrahim Rugova ka konstatuar robërinë e shqiptarëve,
është ankuar para botës se jemi në rrezik për t’u shfarosur nga Serbia,
ka kërkuar ndihmë,
ama nuk na ka premtuar asgjë!
Na ka lutur të durojmë! Kaq.

Kurse, Albin Kurti, ka premtuar ndryshim, ka premtuar një ‘jetë të re’, ‘një njeri të ri’, dhe në momentin që e ka fituar pushtetin, asgjë nuk ka ndryshuar, përveç fjalët e veta!

Sot kur nuk e ka fituar asnjë komunë, humbjen e quan fitore.
Ku do ta çosh më larg!
Aq budallenjë i konsideron shqiptarët sa mendon se bën alkimi dhe i ndërron realitetet.

I vetmi budalla këtu eshte ai vet.

P.S. …ka zogj që nuk fluturojnë.

Të ngjashme