Gjendet kutia e zezë e avionit të rrëzuar në Etiopi

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Një zyrtar i linjës ajrore tha se kutia e zezë e gjetur gjatë punimeve që vazhdojnë në zonën e aksidentit ka pësuar dëme të pjesshme

Autoritetet në Etiopi kanë gjetur kutinë e zezë të avionit që u rrëzua dje me 157 persona në bord, njoftoi linja ajrore e vendit, Ethiopian Airlines.

Bëhet fjalë për avionin e tipit Boeing 737 Max, i cili u rrëzua gjashtë minuta pas ngritjes nga Addis Ababa për të fluturuar në drejtim të kryeqytetit të Kenias, Nairobi, ndërsa asnjëri prej personave në bord nuk arriti të mbijetojë.

Një zyrtar i linjës ajrore tha se kutia e zezë e gjetur gjatë punimeve që vazhdojnë në zonën e aksidentit ka pësuar dëme të pjesshme.

Më herët, Ethiopian Airlines njoftoi se ka ndaluar fluturimet e avionëve të të njëjtit model në kuadër të masave të sigurisë.

Vendi po ashtu ka shpallur ditë zie kombëtare për viktimat.

Ndryshe, Ethiopian Airlines llogaritet si një nga linjat më të mira ajrore në Afrikë.

Siç është njoftuar, kompanisë i janë dorëzuar tetë avionë Boeing 737 Max nga firma Boeing më 15 nëntor të vitit të kaluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme