Gjilani e vlerëson Apoelin, qipriotët duan vetëm futboll e jo politikë

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Pasi i përfunduan testet për koronavirus në Kukës të Shqipërisë mëngjesin e së mërkurës, futbollistët e Gjilanit zbarkuan në stadiumin “Fadil Vokrri” në mesditë për ta kryer seancën e parë dhe të fundit stërvitore para duelit të rëndësishëm më APOEL Nicosian.

Ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe APOEL-it luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 19:00. Kalimi në raundin e dytë të Ligës së Evropës duket mision i mundshëm për gjilanasit, edhe pse përballë kanë një ekip që ka përvojë në kupat evropiane. Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka deklaruar në konferencën për media se APOEL-i nuk është ai i viteve të kaluara.

Megjithatë, Mezani e pranon se ndeshja kundër ekipit nga Qipro nuk do të jetë e njëjtë sikurse ndaj Tre Pennes, ekip që e mposhtën në ndeshjen parakualifikuese.

“Sigurisht se nuk do të jetë ndeshje e njëjtë sikurse kundër Tre Pennes, pasi APOEL-i është i një niveli tjetër. I kemi parë disa ndeshje të APOEL-it dhe pa diskutim se është një skuadër me cilësi shumë të mira brenda. Nuk është ai APOEL-i i mëparshëm, si me kualitet dhe me buxhet, por unë mendoj se kualiteti është përsëri brenda dhe mendoj se duke e parë këtë dhe niveli i kampionatit ku luan, pa diskutim se është nivel më lart se ne”, ka pranuar Mezani.

Trajneri nga Shqipëria thotë se e njohin kundërshtarin dhe ndeshjes do t’i qasen me kujdes të shtuar, duke aplikuar lojën që e kanë bërë gjatë gjithë kampionatit. Ai theksoi se gjasat do të jenë 50-50.

“Ne do të bëjmë lojën tonë, por duke marrë parasysh dhe duke parë ndeshjet e kësaj skuadre, unë kam parë se kanë një sulm mjaft efikas dhe me cilësi brenda dhe ka një mbrojtje më të ngadaltë, do të thosha edhe që gabon. Kështu që ne do të bëjmë lojën tonë, do të futemi në ndeshje dhe do të luajmë. Jam munduar të punoj në aspektin defansiv, sepse kam parë që kundërshtari ka kualitet në sulm”, u shpreh Mezani.

Të gjithë futbollistët dhe stafi i Gjilanit janë testuar për koronavirus në Kukës të Shqipërisë dhe rezultatet pritet t’i marrin të enjten (sot) në mëngjes. Mezani pret që rezultatet e testeve për COVID-19 që i kanë kryer të dalin negative. Sipas tij, periudha e testimeve ka qenë stresuese.

“Në pesë ditë kemi bërë pesë teste dhe normalisht se është stresuese. Jemi ngritur herët në mëngjes në të gjitha ditët për t’i bërë testet. Kjo tashmë është e kaluar. Sot ishte testi i fundit dhe shpresojmë që të dalim të gjithë negativë dhe mendoj se jemi të gjithë negativë, sepse ashtu ishim në testet e mëparshme, dhe mendjen ta kemi tek loja dhe të kemi një paraqitje të mirë dhe ti japim vetes mundësi të marrim një rezultat pozitiv”, deklaroi Mezani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme