Gjykata Kushtetuese seancë më 2 dhjetor, për kërkesën e VV-së ndaj Qeverisë Hoti

Prishtinë | 21 Nën 2020 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të mbajë me 2 dhjetor një seancë publike online për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar që qeveria Hoti të shpallet anti-kushtetuese.

“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë”, tha Veton Dula, Drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim i Gjykatës Kushtetuese.

Seanca mbahet meqenëse deputeti Etem Arifi ishte i dënuar me burg në momentin e votimit për krijimin e qeverisë Hoti. Nëse aktgjykimi do të ishte në favor të ankesës së Vetëvendosjes, situata politike do të komplikohej.

“Po do të duhej të votohej edhe një herë qeveria dhe rrjedhimisht do të duhej të votohej qeveria me 61 vota e përmbi, në mënyrë që të kemi në qeveri të bazuar në rregulla kushtetuese e ligjore”, tha Genc Nimoni, nga Organizata “Çohu, Programi për Studim të Ligjit dhe Demokratizim.

Por, në situatë të tillë, a rrezikon që vendi të shkojë në zgjedhje?

“Kuvendi mund të votojë një qeveri të re pa asnjë problem dhe mos të shkojë vendi në zgjedhje. Nuk ka nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje nëse kjo votë shpallet e pavlefshme dhe nëse vullnet e politika mund t’i bëjë numrat, pse jo mund të kemi një qeveri të re me këtë formacion të Kuvendit”, tha Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI, për Euronews Albania.

Ka katër muaj që qeveria Hoti ka marrë vendime të shumta, për të cilat njohësit e fushës, megjithatë, deklarojnë se nuk do të shpallen të pavlefshme.

“Nuk janë kontestuar vendimet e qeverisë Hoti, por është kontestuar procedura e përzgjedhjes. E për t’u shpallur edhe vendimet e paligjshme, atëherë do të duhej të kishte edhe një proces në Kushtetuese, ku do të kërkohej që vendimet e z. Hoti të ishin kundërkushtetuese”, u shpreh Genc Nimoni nga Organizata “Çohu”, Programi për Studim të Ligjit dhe Demokratizim.

Në këtë rast, Kosova ka një precedent. “Në rastin e Pacollit kur është zgjedhur President, Gjykata e ka njohur të drejtën e tij, pra ka thënë se Pacolli është President, dhe të gjitha vendimet që i ka marrë Pacolli në atë kohë, janë vendime të ligjshme, dhe janë pranuar si vendime shtetërore. Në këtë rast, edhe në rastin konkret, konsideroj se është e njëjtë, pra duhet të vendoset formati i njëjtë sikur në rastin e kaluar edhe në këtë rast”, tha Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI.

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar interpretim për këtë çështje edhe në Komisionin e Venecias.

“Rrëzimi ose jo i qeverisë Hoti do të varet edhe nga opinioni që do të japë Komisioni i Venecias. Kjo për faktin se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’i drejtohet këtij Komisioni për të marrë një mendim nëse ka pasur më parë raste të ngjashme”, tha Jeton Musliu, korrespondent i Euronews Albania.

Kërkesa për shpalljen anti-kushtetuese të votimit të qeverisë Hoti kishte shkuar në Gjykatën Kushtetuese në qershor të vitit 2020.

Deputeti Etem Arifi ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim në maj të vitit 2019 nga Gjykata e Apelit.

Ai kishte bërë ankesë edhe në Gjykatën Supreme, kërkesë kjo e cila i ishte refuzuar. Arifi aktualisht ndodhet në burg pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të një subvencioni prej 26 mijë euro të qeverisë.Shfaq

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme