Grupi për Ballkan kritikon pabarazinë gjinore në institucione

Prishtinë | 11 Shk 2019 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Në një shoqëri ku pabarazia dhe stereotipet gjinore janë të ngulitura në kulturën e përgjithshme dhe në raportet ekonomike, intervenimi politik bëhet më se i domosdoshëm.

Në Kosovë, pak progres është arritur në luftimin e pabarazisë gjinore. Në fakt në disa aspekte situata është përkeqësuar nga politikat qeverisëse, edhe atë në të gjitha nivelet.

Trendi i përfshirjes së grave në pozita drejtuese dhe i përfshirjes së pamjaftueshme në pozitat përfaqësuese ka shënuar ulje, dhe angazhimi për rritje të barazisë gjinore në sferën politike dhe publike mbetet sipërfaqësor dhe minimalist. Pozitat udhëheqëse në institucione dhe politikë janë zënë nga burrat dhe intervenime të fuqishme politike kërkohen për të ndryshuar këtë gjendje. Qasja e barabartë e burrave dhe grave në vendimmarrje është parakusht i domosdoshëm për qeverisje demokratike.

Pjesëmarrja e balancuar e të dy gjinive në vendimmarrjen politike dhe publike është një nga faktorët kyç që mundëson barazinë gjinore, duke avancuar kështu realizimin e të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien më të mirë për gratë. Tani më, është dëshmuar se gratë në pozita vendimmarrëse përbëjnë faktorë të rëndësishëm në krijimin e politikave më të mira që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e grave dhe vajzave në veçanti, dhe atë shoqërore në përgjithësi.

Angazhimi për përfaqësim më të barabartë në institucione ndikon drejtpërdrejtë në zvogëlimin e padrejtësive dhe rritjen e kohezionit shoqëror. Kosova ka ligjin për barazi gjinore më të avancuar në rajon. Ligji për Barazi Gjinore (LBGJ) mbron dhe vendos barazinë ndërmjet gjinive në themel të zhvillimit demokratik të shoqërisë kosovare dhe ofron mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe të gjitha fushat e jetës shoqërore. LBGJ obligon të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe institucionet e tjera publike të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor prej 50 përqind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Ligji poashtu, parasheh sanksione për dështim të zbatimit të dispozitave të tij. Por në praktikë ndodh krejt ndryshe. Përfshirja e grave në vendimmarrje dhe udhëheqje, qoftë brenda sektorit publik apo privat, vazhdon të mbetet sfidë e madhe.

Pabarazia e dukshme gjinore pengon gratë që të kontribuojnë dhe ndikojnë në agjendat e zhvillimit. Pabarazia ekonomike gjinore në Kosovë vlerësohet të jetë më e larta në Evropë. Edhe pse gratë përbëjnë 52.1 përqind të numrit të përgjithshëm të kosovarëve me arsimim universitar, krahas 47.9 përqind të burrave, në punësim ato marrin pjesë me vetëm 12.7 përqind kundrejt 46.6 përqind burrave. Edhe në rastet kur ato janë të punësuara, mbesin shumë pak të përfshira në nivele vendimmarrëse. Sanksionimi ligjor, ndërkohë mbetet ende i pa zbatuar.

Këtu e gjeni aritukullin e plotë:

http://balkansgroup.org/storage/app/media/bprgartikull-pabarazia-gjinore-ne-politike-dhe-vendimmarrje-shqip-web.pdf?fbclid=IwAR2WfoEIV8dw5PLXbiPcM2HlvWXZhBOXA8D56cb2vHnBRub3bFBGCyrTjMM

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme