Haradinaj fton deputetët që të kalojnë në lexim të parë Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike

Prishtinë | 21 Sht 2020 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka bërë thirrje tek të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të japin votën e tyre që ligji për rimëkëmbjen ekonomike të kalojë në lexim të parë.

Haradinaj ka thënë se ligji duhet të kalojë në lexim të parë e më pastaj mund të amandamentohet.

“Është presion i madh publik që të futet në rend dite ky ligj, dhe kërkojmë që të kalojë në lexim të pare dhe pastaj kushdo që ka vërejtje dhe sugjerime, le ti inkorporojnë gjatë leximit të dytë, është mundësia e amandamentimit”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se ekspertët e ekonomisë e dinë saktësisht peshën e këtij ligji, andaj duhet dhënë votën qoftë edhe kundër që të krijohet një shumicë për të kaluar ky ligj në lexim të parë.

“Thirrja jonë publike për kolegët tanë qofshin të pozitës apo të opozitës është që t’I japim mandat në lexim të parë pastaj në lexim të dytë të shohim se çka mund të ndryshojmë. Edhe vota kundër është votë. Deputetët që janë ekspertë të ekonomisë e dinë saktësisht peshën e këtij ligji, andaj të japim votën qoftë edhe kundër por të krijojmë një shumicë që të kalojë ligji në lexim të parë”, tha Haradinaj.

Të ngjashme