Helmimi i katër personave, AUV mbyll përkohësisht lokalin për inspektim të mëtejshëm

wooden door padlocked with a chain
Prishtinë | 26 Sht 2022 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Të dielën në mbrëmje, katër persona kanë përfunduar duke u trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, si pasojë e helmimit nga ushqimi.

Klan Kosova ka kontaktuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për të marrë më shumë informata dhe ka mësuar se lokali i gastronomisë ku janë helmuar personat në fjalë është mbyllur përkohësisht për inspektim të mëtejshëm.

Sipas AUV, subjekti do të qëndrojë i mbyllur deri në vendimin tjetër të ekipit inspektues.

“Mbrëmë në orët e vona të natës Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pranuar kërkesën nga organet e Policisë dhe prokurorisë për të asistuar në inspektim- kontroll tek një operator ekonomik, lokal i gastronomisë me lokacion në komunën Podujevës. Mbi dyshimin se disa klientë që janë shërbyer aty kanë shenja helmimi”.

“Shefi i inspektoratit sanitar të AUV-së bashkë me ekipin inspektues i janë përgjigjur kërkesës dhe sipas procedurës së përgjithshme të veprimit në raste dyshimit është bërë kontrolli sanitar i kushteve higjienike dhe tekniko-sanitare. Për të cilat ekipi inspektues me proces ka vlerësuar se kushtet higjienike janë të pranueshme, nuk janë hasur produkte pa afat, kuzhina ka qenë e pajisur me frigorifer me temperatura që iu përgjigjen kushteve të ruajtjes sipas specifikave të produktit dhe pajisjet e punës kanë qenë adekuate”.

“Për t’i dhënë kohë dhe mundësi gjurmimit në aspektin analitik, ekipi inspektues ka vendosur mbyllje të përkohshme për marrje të mostrave për testim në laborator. Subjekti do të qëndrojë i mbyllur deri në vendimin tjetër të ekipit inspektues ( i bazuar në rezultat të hulumtimit dhe analizave laboratorike)”.

Për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje, klikoni në linkun e mëposhtëm.

Të ngjashme