I sëmuri mendor kreu masakrën në Gjermani, policia publikon detaje të reja

Prishtinë | 02 Dhj 2020 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Gjermania u trondit të martën, pas sulmit me makinë të një personi ndaj qytetarëve këmbësorë në qytetin Trier.

51 vjeçari i arrestuar, e kreu sulmin duke qenë i alkoolizuar, duket se ka filluar të flasë me policinë, njoftojnë agjencitë e lajmeve të mërkurën. Policia tha vetëm të mërkurën në mëngjes se “ai po flet me ne”.

Deri më tani hetimet nuk kanë gjetur motive politike apo fetare pas sulmit të personit të lindur në Trier. Në media është njoftuar, se personi kishte jetuar disa ditë në automjetin e huazuar nga një mik.

I arrestuari do t’i paraqitet të mërkurën gjykatësit. Sipas të dhënave të para të prokurorisë ka shenja për një sëmundje psikike të të arrestuarit. Autoritetet duhet të vendosin, nëse ai do të dërgohet në paraburgim apo në një qendër të mbyllur psikiatrie.

Hetimet e deritanishme kanë konfirmuar, se personi me automjetin Landrover të martën mbasdite kërkoi me qëllim të vriste njerëz në zonën e këmbësorëve në Trier, këtë e tregon edhe mënyra e lëvizjes së makinës me zigzage për rreth 600 metra.

Si pasojë e sulmit humbën jetën 5 vetë në Trier, mes tyre edhe një foshnjë 9 javëshe. 14 vetë u plagosën, disa gjenden ende në gjendje të rëndë.

Prokuroria e kategorizon sulmin si vrasje të shumëfishtë, përpjekje për vrasje dhe lëndim me pasoja të rrezikshme për jetën.

Politika gjermane reagoi e tronditur pas sulmit me pesë të vdekur në Trier. Kancelarja gjermane, Merkel e tronditur për sulmin u shprehu ngushëllimet e thella familjeve të të prekurve. Edhe kryeministrja e landit Pfalc, Malu Dreyer u shpreh me tronditje për sulmin. “Kjo është thjesht e tmerrshme”. Më e tmerrshmja që humbën jetën disa vetë. Kryebashkiaku i qytetit Trier, Wolfram Leibe tha, se “besoj se kjo është dita më e zezë e qytetit Trier pas Luftës së Dytë Botërore.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme