ICT Awards për herë të parë në Ulqin

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 14:16 | Nga

Kur kanë ngelur vetëm 12 ditë nga mbyllja e aplikimeve në edicionin e gjashtë, Albanian ICT Awards për herë të parë vizitoi me 14 mars qytetin e Ulqinit.

Albanian ICT Awards hapi edicionin e gjashtë më 2 shkurt në një aktivitet të cilit ju bashkua edhe Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës Valdrin Luka, transmeton Ekonomia Online.

ICT Award njofton se ka zhvilluar takime edhe me ministrin e Inovacionit dhe kryetarin e Prishtinës.

Ky eveniment, unik për nga karakteri dhe dedikimi, ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar , udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, novatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së.

Në komunikatën e më poshtme ICT Awards njofton për aktivitetet e veta:

Kur kanë ngelur vetëm 12 ditë nga mbyllja e aplikimeve në edicionin e gjashtë, Albanian ICT Awards për herë të parë vizitoi me 14 Mars qytetin e Ulqinit.

Në një pritje të jashtëzakonshme nga Gjimnazi “Vëllazërim Bashkim”, Shkolla e Mesme “Drita” përcjellë nga Televizioni lokal Teuta, ekipi i ICT Awards u shoqërua nga anëtari i jurisë në edicionin e pestë Prof Ilir Çapuni.

Nxënësit e shkollave kishin rezervuar një mikpritje të ngrohtë duke afirmuar më tej karakterin mbarëkombëtare të një gare e cila çdo vit sjell bashkë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në një prej aktiviteteve më të shquara të teknologjisë dhe informacionit.

Albanian ICT Awards çeli edicionin e gjashtë më 2 Shkurt në një aktivitet të cilit ju bashkua edhe Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës Valdrin Luka.

Më 15 Mars përfaqësues të Albanian ICT Awards nga Juria dhe pjesa organizative e kësaj nisme u pritën nga Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës z. Valdrin Lluka.

Ai u njoh më nga afër me ecurinë e deritanishme të garës mbarëkombëtare, por gjithashtu Ministri prezantoi disa prej projekteve më ambicioze të dikasterit që drejton duke shprehur vullnetin e plotë për bashkëpunim të sinkronizuar me aktorët e ekosistemit të inovacionit.

Po të njëjtën ditë Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj priti delegacionin e Albanian ICT Awards në kuadrin e turit mbarëkombëtar të kësaj nisme.

Mikëpritjet e ngrohta të Prishtinës vijuan me kryetarin inovativ Shpend Ahmeti i cili pranoi me kënaqësi ftesën në mbrëmjen gala të edicionit të gjashtë që do të mbahet me 27 Prill.

Në vazhdën e fushatës mbarëkombëtare me qëllim inkurajimin e inovatorëve, studentëve, sipërmarrësve dhe entuziastëve të teknologjisë ICT Awards ishte në Prishtinë përmes një takimi të hapur me komunitetin e ICT-së.

Paneli ishte i përbërë me histori suksesi dhe partnerë ndër vite me të ftuarit si Visar A. Jasiqi, Jeton Siqeca, Abetare Gojani, Besfort Guri, Blerta Thaci, Lekë Zherka, Mimoza Bytyqi, Ardian A. Alaj, Kushtrim Shala.

Së fundi java u mbyll më 17 Mars në një takim me studentë të përzgjedhur të Universitetit për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë i cili është njëherazi partner dhe sponsor tradicional i kësaj nisme.

Edicioni i gjashtë fillon rrugëtimin me mbështetjen e sponsorëve tradicionalë Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen dhe Albvision. Një rrjet i gjerë partnerësh dhe mbështetësish do të gjenden pranë ICT Awards përgjatë rrugëtimit.

Dy muaj nga starti, janë mbajtur plot 15 takime në kuadër të edicionit të gjashtë.

Aplikimet do të vijojnë deri më 31 Mars 2018 dhe të interesuarit mund të aplikojnë përmes faqes zyrtare ictawards.org.

Të ngjashme