Infektologu Dreshaj: Nuk luftohet pandemia me orë policore por me masa disiplinore

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 12:35 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në seancën ku po diskutohet për pandeminë, ka thënë se këto dy javët e fundit janë infektuar një numër i madh i mjekëve, raporton Ekonomia Online.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë obligative vaksinimin kundër COVID-19.

Tutje ai ka thënë se pandemia nuk luftohet me orë policore por me masa disiplinore.

“Shumica e raste janë 19 vjeçarë. Pra masat që duhet të ndermirën do të jenë nga kapacitete të vendit. Nuk pritet që të kemi përmirësim. Testoni sa më shumë dhe vaksinoni sa më shumë. Vetëm këto dy javë janë sëmurë një numër i konsiderueshëm i mjekëve në kohën kur na nevojitet do të rrezikohemi të mbesim pa mjekë. Ministër rrisni kapacitet me shtretër. Mjeket janë heronjtë. Mundësoni të jenë vetvetja dhe të përkushtuar”, ka thënë Dreshaj.

Ai ka thënë se vaksinimi masiv ndihmon që të dalim nga situata e pandemisë, andaj sipas tij, vaksinimi duhet të bëhet obligativ sidomos për institucionet publike.

“Vaksinimi masiv është dalja nga situata. Numri aktual i të vaksinuarve brenda 24 orëve vetëm prej disa mijëra dozave është vërtetë brengosëse kur e dimë që kapacitetet i kemi mbi 20 mijë doza vaksinë për 24 orë. Ju rekomandojë që vaksimin ta bëni obligativ, në veçanti për institucionet publike, gjë që e kanë bërë shumë vende të Bashkësisë Evropiane dhe shumë vende të rajonit tonë, nga sot edhe Shqipëria”, ka deklaruar ai.

Dreshaj ka thënë se ditëve të fundit një numër i madh i punëtorëve shëndetësorë në Klinikën Infektive janë infektuar me virus.

Andaj ai ka thënë se në kohën kur më së shumti do të kemi nevojë për stafin mjekësor, do të jemi në mungesë të tij.

Tutje, Dreshaj ka paralajmëruar edhe rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar në ditët e ardhshme.

“Dihet sëmundja ndërlikohet rrallë para ditës së pestë, zakonisht nga dita e shtatë deri ditën e dhjetë, prandaj numri i rasteve të hospitalizuara pritet të rritet në katër pesë ditët e ardhshme e me to fatkeqësishtë edhe rastet që do të kenë ecuri të pafavorshme. Po thuhet që shumica e rasteve janë nën moshën 19-vjeçare, është e pritshme. Kjo grupmoshë është grupmosha më aktive që ka vendi dhe njëkohësisht nuk ka një shkallë të lartë të vaksinimit. E njëjta vlenë edhe për grupmoshën deri në 12-vjeç, këta as që i kemi pasur në program për t’i vaksinuar”, ka deklaruar ai.

Dreshaj ka thënë se sëmundja parandalohet me respektimin e distancës, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve, e jo me orë policore e shkurtimin e orarit të pandemisë.

“Sëmundja parandalohet me respektimin e masave standarte parandaluese, me respektimin e distancës, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve. Nëse këto nuk respektohen nga popullata, atëherë të kota janë masat shtrënguese kufizuese si ora policore dhe shkurtimi i orarit të gastronomisë”, ka shtuar ai.

Të ngjashme