Instituti “Musine Kokalari” për punën e Qeverisë: Ngecje në politika sociale e shpërfillje të grupeve të margjinalizuara

Prishtinë | 03 Gus 2021 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Republikës së Kosovës nën drejtimin e Kryeministrit Kurti, mbushi 100-ditëshin e parë më 1 korrik të këtij viti. Raporti për punën 100 ditore është dorëzuar nga Qeveria në Kuvend, ndërsa sot, e hënë 2 gusht 2021, ai po diskutohet në Kuvendin e Republikës me kërkesë të opozitës.

Raporti i 100 ditorit të Qeverisë Kurti II është titulluar “100 ditë kthesë drejt zhvillimit 23 mars – 1 korrik 2021″. Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” i ka bërë një analizë kësaj pune të raportuar, analizë kjo e përqendruar te çështjet sociale dhe vendimet që prekin fushën e të drejtave dhe mirëqenies sociale. Po ashtu pjesë e analizës është edhe krahasimi mes raportit për 100 ditorin me zotimet qeverisëse të Kryeministrit dhe Qeverisë.

Në përgjithësi, përgjatë këtij 100 ditëshi, Qeveria e Kosovës është karakterizuar me dy aspekte kryesore: paraqitjet e ralla publike të Kryeministrit, por edhe ministrave, veçanërisht në përballjet me përfaqësuesit e mediave, gjë që e bën punën e qeverisë jotransparente (sidomos për skandalet për të cilat është akuzuar kjo qeveri) dhe në anën tjetër prezantime të projekteve shumë të rëndësishme, por të pashpjeguara në detaje sesi do të dukeshin dhe si do të realizoheshin.

Raporti i Qeverisë “100 ditë kthesë drejt zhvillimit 23 mars – 1 korrik 2021” vërteton ngecjet e saj në politika sociale dhe në shpërfilljen e grupeve të margjinalizuara.

Vaksinimi me ngecje

Konsiderojmë se një prej gjërave të mira dhe pozitive është nënshkrimi i kontratës për vaksina kundër Covid-19, edhe pse sipas të dhënave zyrtare rezulton se procesi i vaksinimit ka ngecje sa i përket numrit dhe procesit në veçanti. Në raportimet mediale, del se ka pritje të mëdha të qytetarëve për t’u vaksinuar, ndërsa është bërë e ditur se stafi i qendrave të vaksinimit punon nga e hëna deri të premten.

Duke qenë qe Qeveria është e vetëdijshme se gjendja me pandeminë është e jashtëzakonshme, ekzekutivi do të duhej t’i shtonte kapacitetet në mënyrë që një proces i tillë të vazhdojë edhe të shtunave e të dielave. Vaksinimi mund të bëhet edhe për qytetarët në qytete ku punojnë, në mënyrë që të jetë më e lehtë për qytetarët, duke mos pasur nevojë të udhëtojnë në vendlindje dhe të presin rradhët e gjata. Sipas raportit 100 ditor, Ministrisë së Shëndetësisë i janë ndarë 6.8 milion euro për t’i siguruar barnat esenciale, por sipas burimeve të informimit, komuna të ndryshme po ballafaqohen ende me mungesë të insulinave. Kjo pasi është thënë se është siguruar insulina për pesë muajt në vijim.

IPS Musine Kokalari, kërkon nga Ministria e Shëndetësisë të veprojë seriozisht tek grupet më të margjinalizuara, duke u fokusuar te komunitetet joshumicë rome, ashkali dhe egjiptiane, si dhe te personat me nevoja të veçanta.

Qeveria vazhdon traditën e financimit ad-hoc të skemave sociale pa strategji për kodifikimin e tyre

Qeveria e Kosovës ka treguar se si përmes 8.5 milionë eurove do të përfitojnë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale për pagesën e shtesës prej 30% mbi shumën mujore për përfituesit nga skema e ndihmës sociale dhe për pagesën shtesë për përfituesit e skemave pensionale që marrin më pak se 100 euro në muaj, për muajt prill, maj dhe qershor 2021. Nga kjo masë kanë përfituar 192,171 qytetarë.

IPS Musine Kokalari, konsideron se duhet të përfundojë një praktikë e tillë e veprimeve ad-hoc e mbështetjes të të gjitha skemave. Në këtë drejtim, Qeveria duhet të fokusohet në ndërtimin e një strategjie të qartë për ta sjellur në Kuvend kodifikimin e të gjitha skemave.

Shpërfillje totale e LGBTQA+ dhe personave me nevoja të veçanta – Mbështetje simbolike për pakicat etnike

Qeveria e Kosovës ka raportuar për ndërtimin e 2 shtëpive dhe për 8 të tjera në ndërtim e sipër, pastaj për 10 pako të harmonizuara familjare dhe për 68 fonde stimuluese (grante) për të gjeneruar të ardhura dhe material ndërtimor për 10 familje. Ndërsa nga “Programi i BE-së për Stabilizimin e Komuniteteve – Faza e Tretë” janë mbështetur 41 projekte individuale për fillimin e biznesit të vogël dhe 7 projekte infrastrukturore për komunitetet.

Në raportin 100 ditor, nuk përmenden fare shumë komunitete të margjinalizuara, si komuniteti LGBTQA+ dhe personat me nevoja të veçanta.

IPS Musine Kokalari, konsideron se promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve nuk duhet të reduktohet vetëm në aspektin e kushteve teknike të jetesës, por në ofrimin e mundësive për arsimimin e edukim dhe për shëndetësi e mirëqenie, jo vetëm të komuniteteve minoritare etnike, por edhe të grupeve të tjera të margjinalizuara.

Ngecje në zbatimin e Konventës së Stambollit dhe injorim i Qendrave për Punë Sociale

Me të drejtë, Qeveria ka emëruar Koordinatoren Nacionale për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, përmes së cilës është funksionalizuar grupi ndërministror për adresimin e çështjeve të dhunës në familje, që ka për detyrë “hartimin e strategjisë për adresimin e çështjeve të dhunës në familje dhe janë bërë analizat e para në kuptim të adresimit të çështjeve të dala nga Konventa e Stambollit dhe të krijimit të linjave buxhetore për strehimoret, për mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje”.

Mirëpo, IPS Musine Kokalari e konsideron të ngadaltë zbatimin e drejtë dhe të plotë të Konventës së Stambollit. Po ngecin ndryshimet e nevojshme të Kodit Penal, që Konventa e Stambollit të bëhet pjesë e legjislacionit specifik. Nevojitet të hulumtohet e të kërkohet edhe ndihmë nga shtete të caktuara që kanë bërë hapa të rëndësishëm pozitiv, që kjo konventë të gjej zbatim efektiv.

Qeveria përmes këtij raporti ka njoftuar edhe për futjen e doracakëve në edukimin gjithëpërfshirës seksual, të cilët kanë përmbajtje që mund të përdoret nga klasa 1-12. Rritja e ngacmimeve seksuale është një fenomen që vazhdon të ndodhë, ku sidomos vajzat janë duke u ballafaquar me dhunë e abuzim edhe brenda objekteve shkollore. IPS Musine Kokalari, konsideron se doracakët nuk mjaftojnë dhe kërkon nga Qeveria që përgjatë mandatit të krijohen politika për futjen e Edukatës Seksuale brenda kurikulës shkollore si lëndë obligative.

Qendrat për Punës Sociale që hynë gjithashtu në qeverisje lokale, por edhe brenda Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfere, si institucion publik profesional i nivelit komunal, kompetente për mbrotjen e qytetarëve në nevojë sociale, nuk janë theksuar në asnjë paragraf të 100 ditëshit të qeverisjes. Pëpos skemës së ndihmave sociale, QPS si institucione të vetme të vendit ofrojnë 85 shërbime sociale ku hynë edhe shërbimet sociale familjare.

Kështu, viti paraprak, si pasojë e pandemisë ka lënë pasoja të thella duke qenë një katalizator i krizës ekonomike e shoqërore. Ai ka shpërfaqur edhe mungesën e kapaciteteve të punëtorëve social në menaxhimin e shumë rasteve, sa i përket shërbimeve sociale dhe familjare, prandaj edhe duhen krijuar politika sociale për reformim.

Të ngjashme