IPS Musine Kokalari: Qasja e institucioneve ndaj Kodit Civil shpërfaq diskriminim

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Qasja e institucioneve ndaj Kodit Civil shpërfaq diskriminimin ndaj komunitetit LGBT1I+ dhe shtypjen ndaj personave dhe grupeve të cenueshme

Dështimi i votimit të Kodit Civil dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës është një lajm i keq për shoqërinë tonë. Përkundër asaj që ky Kod përmbledh në vete rregullime shumë të rëndësishme të marrëdhënieve shoqërore, e që do të duhej të përmbante avancim të të drejtave për pjesët e diskriminuara e të shtypura të shoqërisë, deputetët e Kuvendit u përqëndruan te një çështje e vetme në Kod dhe i thanë jo atij tërësisht.

Çështja që e mori tërë vëmendjen e diskutimit të djeshëm ishte e drejta e qytetarëve të Republikës të së njëjtës gjini të jetojnë në Bashkësi të regjistruara civile. Ky version i Kodit Civil i diskutuar dje në Kuvend është problematik në këtë drejtim meqë është diskriminues ndaj të drejtave dhe barazisë së komunitetit LGBTQI+. Për sa kohë që e themelon të drejtën e bashkësisë së regjistruar për personat të gjinisë së njëjtë (Neni 1138 pika 2), ai ua mohon të drejtën e martesës të njëjtëve (Neni 1138, pika 1). Por as kjo e drejtë gjysmake nuk ishte e pranueshme për deputetët e Kuvendit. Me fjalimet e tyre e me votën e tyre, ata praktikisht kërkuan dhe votuan që këtij komunteti t’iu cungohen absolutisht këto të drejta.

Fjalimet e tyre skandaloze, diskriminuese dhe anakronike shumë lehtë mund të cilësohen si gjuhë urrejtje. “Degjenerim”, “shthurrje”, “sëmundje”, “sulm ndaj familjes”, disa prej fjalëve të përdorura dje për ta sulmuar Kodin dhe komunitetin, janë formë e egër e linçimit publik. Ky diskutim i djeshëm shpërfaqi dy të meta të mëdha politike, por edhe shoqërore, që mbretërojnë në Kosovë. Nga diskutime dhe vota e deputetëve lehtësisht mund ta kuptojmë sesa të diskriminuar dhe të rrezikuar janë komuniteti LGBTQI+ në shoqërinë tonë. Por jo vetëm këta. E njëjta mendësi konservatore e shpërfaqur lakuriq dje është ajo që ushtron dhunën ndaj grave, bullizimin ndaj fëmijëve, racizmin ndaj komunitetit rom, atij ashkali dhe komunitetit egjiptas, përjashtimin e komuniteteve tjera, përçmimin e të varfërve, përqeshjen e personave me aftësi të kufizuar, etj. Të gjitha këto vijnë nga paragjykimi nacionalist, patriarkal dhe konservator.

Në anën tjetër, diskutimi e votimi dje shpërfaq edhe mënyrën se si deputetët e shohin rolin e tyre. Duke iu referuar votuesve të tyre, e jo domosdosë për barazi shoqërore, ata treguan se aty më shumë punojnë për zgjedhjet e ardhshme dhe për votat personale, se për mirëqenien, barazinë e drejtësinë e qytetarëve.

Jo, nuk ka të drejtë shumica të vendos për atë se si dhe kë e dashurojnë qytetarët e Republikës. Këtu nuk kanë rëndësi numrat. Edhe nëse është vetëm NJË çift homoseksual në Kosovë, ai duhet ta gëzojë të drejtën e tij njësoj sikur të gjithë tjerët. Dhe duhet të trajtohen si qytetarë të BARABARTË me të gjithë. Dhe JO, deputetët nuk kanë të drejtë të vendosin me shumicë votash se cilët qytetarë qenkan më të barabartë se të tjerët. Sepse të gjithë jemi të barabartë.

Dje kishim dështim udhëheqje e udhëheqësie në Kosovë. Ky propozim Kod Civil parashihte një avancim (edhe pse të pjesshëm) të të drejtave për qytetarët e Republikës. Është çështje tejet e ndjeshme. E tillë që kërkon investim të jashtëzakonshëm të energjisë politike. Por këtë nuk e pamë. Kryeministri pati qëndrim PRO projekt Kodit. Por jo edhe energjnë bindëse për grupin e vet parlamentar. Ndërkohë, asnjë fjalë nga Presidentja deri tash për të drejtat e qytetarëve. Ndërkohë që qëndrimi i opozitës ishte po aq problematik sa dy të parët. Është e vërtetë që përgjegjësia kryesore bie mbi mazhorancën. Por, kjo nuk e shfajëson opozitën. Tek e fundit cili është qëndrimi i tyre për këtë çështje? Cili është pozicioni i tyre?

Është e vërtetë që popullariteti politik të sjellë vota. Votat pushtetin. E pushteti mundësinë për ta avansuar shoqërinë e përmirësuar jetën e qytetarëve. Por kur ky popullaritet nuk përdoret për t’ua shtuar të drejtat qytetarëve, dhe për ta krijuar trajtim të barabartë për të gjithë, atëherë për çfarë po ju duhet?

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari kundërshton ashpër diskutimin e djeshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Qeverisë dhe deputetëve e deputeteve të Kuvendit të mos nxisin urrejtje karshi komunitetit LGBTI+ dhe të veprojnë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari

Prishtinë, 17 mars 2022

Të ngjashme