Irani thotë se tensionet me ShBA-në janë në nivelin më të lartë

Prishtinë | 20 Shk 2019 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Tensionet ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit janë në “nivelin më të lartë”, ka thënë presidenti i Iranit, Hassan Rohani.

Raportet mes dy vendeve janë përshkallëzuar që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tërhoq nga një marrëveshje e rëndësishme bërthamore e vitit 2015 me Teheranin dhe rivendosi sanksionet e hequra në bazë të kësaj marrëveshje.

Presidenti Trump kishtë thënë se marrëveshja ishte e mangët pasi nuk përfshinte kufizimet në zhvillimin e raketave balistike të Iranit apo ndikimin në islamik në Siri, Jemen, Liban dhe Irak.

“Lufta midis Iranit dhe SHBA-së, është aktualisht në nivelin më të lartë. SHBA-ja ka përdorur të gjithë fuqinë e saj kundër nesh”, citoi deklaratat e presidentit Rohani, transmetuesi shtetëror iranian.

Rohani po ashtu tha se konferenca për Lindjen e Mesme me fokus Iranin, e organizuar nga Shtetet e Bashkuara në Varshavë të Polonisë, gjatë javës së kaluar, nuk i ka arritur qëllimet e saja.

Zyrtarë nga më shumë se 60 shtete u mblodhën javën e kaluar në Varshavë në një konferencë për Lindjen e Mesme. Zëvëndëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence iu bëri thirrje aleatëve evropianë të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin duke thënë se ky vend është “rreziku me i madh i paqës dhe sigurisë” në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, Kina dhe Rusia si dhe ministrat e Jashtëm e vendeve më të mëdha evropiane, nuk morën pjesë në konferencë dhe ende po vazhdojnë t’i përmbahen marrëveshjes me Iranin sipas së cilës Tehereni u zotua të frenojë aktivitetet bërthamore në shkëmbim të heqjes së sanksioneve.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo , ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Irani të sillet si shtet normal.

“Ne po drejtojmë çdo ditë një sërë politikash që shpresojmë se do t’ia arrijnë kësaj, dhe kur të arrihet, e gjithë Lindja e Mesme dhe në të vërtetë bota do të jenë një vend më i sigurtë” ka thënë sekretari Pompeo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme