KMDLNj: A po përdoret taksa si arsyetim për rrëzimin e Qeverisë?

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar në raport me deklarimet e fundit për heqjen e taksës për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, transmeton Ekonomia Online.

Sipas KMDLNj-së kjo taksë po mbështetet nga qytetarët dhe është kundërshtuar nga pro serbët, të cilat KMDLNj, thotë se janë përfaqësuesja e lartë e BE-së Frederika Mogerini dhe komisionari për zgjerim, Johanes Han.

Ky është reagimi i KMDLNj-së:

Qeveria e Kosovës, si përgjigje ndaj ndërhyrjeve flagrante të Serbisë në punët ekskluzivisht të brendshme të Kosovës e për të cilat aparati burokratik i BE-së nuk pati reaguar asnjëherë , vendosi një masë tarifore për rritjen 100 % të taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja që fillimisht ishte masë politike e që pastaj pati efekt ekonomik; dëmtimin e buxhetit të Serbisë dhe Bosnjes sikur edhe mbrojtja e prodhuesve vendorë që filluan t’i marrin këmbët duke e rritur prodhimin.

Kjo masë zbatohet edhe nga shtetet më të fuqishme siç bëri SHBA ndaj Kinës apo e bëjnë edhe shtetet brenda BE –së ndaj shteteve tjera , anëtare të BE -së, kryesisht për shkaqe politike dhe të ambalazhuar me ato ekonomike. Serbia, që nga përfundimi i luftës ka qenë eksportuesi më i madh në Kosovës dhe shumë biznesmenë kosovarë kanë ndërtuar perandorinë e tyre duke shërbyer si stërshitës të këtyre mallrave, të dyshimta dhe pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli për caktimin e cilësisë.

Duke e rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Pas ndërhyrjeve të vazhdueshme të Serbisë në Kosovë, e vetmja mundësi që kanë mundur ta përdorin institucionet e Kosovës ka qenë kjo taksë e cila fillimisht ishte vetëm 10% për t’u rritur në 100%.

Kjo taksë është përkrahur në masë të madhe nga qytetarët e Kosovës sikur edhe nga institucionet kurse është kundërshtuar fuqishëm nga burokratët proserbë të BE –së, Frederika Mogerini dhe Johanes Han që , në formë të ultimatumit kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj ta hjekë këtë masë, që, sipas tyre paraqet pengesë për vazhdimi të dialogut me Serbinë aq më parë që Vuçiqi, president i Serbisë e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me presidentin Thaçi me heqjen e kësaj mase.

Dhe, sikur është vepruar deri më tani; çka ka kërkuar Serbia ashtu edhe është bërë ! Së voni doli se administrata amerikane, me një letër me 8 (tetë) pika ka kërkuar që kjo taksë të hiqet urgjentisht duke bërë presion ndaj kryeministrit Haradinaj, si kundërshtar kryesorë i heqjes së kësaj takse dhe duke e kërcënuar me pasoja siç ishte mosdhënia e vizës hyrëse për SHBA.

Realisht, ata që po zhvillojnë bisedime me Serbinë në një terr absolut  janë më të interesuarit që kjo masë të hiqet, në mënyrë që të arrihet “një marrëveshje historike me Serbinë, detyruese ….” , pavarësisht se mund të ketë edhe lëvizje të kufijve në dëm të Kosovës. Tash kemi zëra edhe brenda koalicionit se heqja e taksës mund edhe të rishikohet e që nënkupton se angazhohen për heqjen e kokës së Ramush Haradinajt e cila do të shkonte bashkë me taksën 100% , përmes riformatimit të qeverisë ku do të mbizotëronin ata që e përkrahin heqjen e taksës, si kusht për vazhdim të bisedimeve dhe për këtë, pandershëm e përdorin si argument “ kërkesën e miqve amerikanë“.

Këtë kërkesë fuqishëm po e përkrahin ata që tërë jetën kanë punuar kundër intereseve të qytetarëve të Kosovës , ata që nuk kanë forcë e as përfaqësim politik sikur edhe ata që sekserizmin e kanë aktivitetin kryesorë për inkuadrim në pushtet dhe mbetje në pushtet. KMDLNj , edhe më herët ka deklaruar se kjo taksë , në ndërkohë , për shkak të presioneve të mëdha nga jashtë dhe lojërave të ndyra nga brenda edhe mund të hiqet apo pezullohet mirëpo , gjithashtu ka deklaruar se kjo taksë e ka arritur efektin politik , ekonomik , sensibilizues , informues , vatëdijësues , ndërgjegjësues dhe mobilizues andaj  qytetarët e Kosovës , si përgjigje ndaj presioneve ndaj qeverisë së Kosovës për heqjen pa kushte të kësaj takse , duhet të bojkotojnë të gjitha mallrat nga Serbia dhe Bosnja , duke mos i blerë ato pas së cilave edhe tregëtarët më të papërgjegjshëm dhe më të pandërgjegjshëm do të detyrohen të mos i importojnë ato mallra.

Pra , në 100% presion për heqjen e taksës për këto mallra nga këto dy shtete armiqësisht të disponuara ndaj Kosovës , qytetarët e Kosovës duhet 100% t’i bojkotojnë këto mallra , deri në një situatë tjetër ! Në këtë kontekst duhet të përkrahet edhe qeveria e Kosovës si dhe kryeministri Haradinaj , deri në një situatë tjetër sikur edhe çdo kryeministër tjetër eventual e që e mbronë sovranitetin e Kosovës dhe interesin qytetarë dhe shtetërorë.

Në bisedime të pakushtëzuara me Serbinë nuk duhet të pranohen kushtëzimet që po i bënë Serbia ose , si reciprocitet , edhe Kosova duhet t’i ketë kushtëzimet e saja e që e ka një mori që mund të përdoren si të tilla ! Ose bisedime të pakushtëzuara , ose kushtëzimi të vendoset si standard i dyanshëm e që nënkupton se nuk do të ketë bisedime ! Ndërkombëtarët duhet ta ndërprejnë zbatimin e praktikës së standardeve të dyfishta , një standard për Serbinë e 100 standarde për Kosovën!  Ndërkombëtarët duhet ta pranojnë universalitetin e të drejtave të njeriut e jo të ketë të drejta të veçanta për Serbinë dhe të padrejta të veçanta vetëm për Kosovën. Qytetarët e Kosovës janë izoluar në një korridor pa dalje , e kanë të pamundësuar lirinë e lëvizjes për shkak të mosliberalizimit të vizave , prespektiva për integrim evropian është e njëjtë sikur me perspektivën që e ka Etiopia në ndërkohë që Serbisë , me një procedurë të shpejtuar po i hapen portat e Brukselit ndonëse e ka një të kaluar shumë kriminale dhe si e tillë po sillet edhe sot duke e rrezikuar sigurinë e rajonit .

Tash , pas kundërshtimit të Serbisë po diskutohet edhe mundësia e tërheqjes së vendimit për transformimin e FSK –së në Forca Mbrojtëse të Kosovës në kohën kur Serbia po bëhet bazë kryesore ushtarake e Rusisë në Ballkan. Nëse dikujt i duhet normalizimi i pakushtëzuar i marrëdhënieve me Kosovën atëherë ajo duhet të jetë Serbia , nëse donë të bëhet pjesë e BE-së.

Kosova nuk ka pse të ngutet sepse nuk ka çka të humbë për faktin se nga BE nuk ka përfituar asgjë përveç se është datyruar të bëjë lëshime në dëm të integritetit territorial dhe sovranitetit dhe në dobi të Serbisë. Ndërkaq , nëse dikujt në këto çaste i konvenon të shkohet në zgjedhje të reja , ai është pikërisht kryeministri Haradinaj që ka fituar përkrahje të madhe për taksën e vendosur , si përpjekje modeste për demonstrim të sovranitetit shtetërorë, të munguar deri më tani dhe si kundërshtar i vendosur i lojërave me kufij që aq shumë po përflitet nga disa karrieristë të pandreçshëm kosovarë dhe oktapodë të politikës në Tiranë e që edhe më me ëndje e përkrahin burokratët ndërkombëtarë .

Ata , vendorët , po të kishin mundësi ta bëjnë riformatimin e qeverisë , pa Ramush Haradinajn , këtë do ta bënin për 5 minuta . Zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë askujt , kërkesa për to janë bllof e jo sidomos atyre që po nguten për arritjen e “ një marrëveshjeje historike me Serbinë duke e luajtur lojën e kufijve …”. Çdo ndryshim i kufijve ekzistues do të jetë legalizim i spastrimeve në baza etnike , eskalim të dhunës dhe shkelje brutale e të drejtave të njeriut prandaj duhet vendosmërisht të kundërshtohen !

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme